Vushtrria me platformë informuese për investitorët nga diaspora

Në dekadën e fundit janë shënuar rreth 280 milionë euro investime të huaja. 60 për qind prej këtyre investimeve kanë qenë në patundshmëri. Megjithatë, pritjet janë që diaspora të trajtohet veçantë nga investimet e përgjithshme të huaja. Kështu u tha në lansimin e platformës “Invest in Vushtrri” në komunën e Vushtrrisë.
I pari i kësaj komune, Xhafer Tahiri tha se kjo platformë është shumë e rëndësishme për diasporën, por edhe për Kosovën. Ai ka thënë se ambasadori më i mirë për popullin shqiptar është diaspora.
Tahiri ka paraqitur projektet e ngrohtores së qytetit, impiantit të ujërave të zeza dhe të atë gazifikimit të qytetit. Ai ka thënë se po synojnë edhe kredinë e butë të komunës, sipas të cilit, do të nxitet punësimi në nivel lokal dhe rajonal, zhvillon bujqësinë dhe blegtorinë dhe ligj tregjet më shpejt me kosto më të ulët.
E, Lirim Krasniqi nga organizata ”Germin”, theksoi se bashkëpunimi për lansimin e kësaj platforme ka filluar para dy vitesh, me qëllim të informimit të të gjithë investitorëve nga diaspora për mundësitë e investimit që ofron Vushtrria.
”Kemi kënaqësinë që sot së bashku me komunën e Vushtrrisë po e lansojmë një platformë e cila ka për qëllim informimin e të gjithë atyre afaristëve, investitorëve potencial mbi mundësitë që ofron Komuna e Vushtrrisë. Dhe gjithashtu ofrimin e mundësive për lidhje mes bizneseve lokale dhe atyre nga diaspora. Shumë herë na kanë pyetur se cili është kriteri që ju bën juve me vendos me cilën komunë me bashkëpunuar, përtej elementeve të ambienteve biznesore, njëra nga kriteret kryesore është gatishmëria dhe vullneti i komunës, përkatësisht edhe kryetarit për të hapur derën për afaristët nga diaspora”, u shpreh ai.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti potencoi se lansimi i kësaj platforme shton përpjekjet për rritjen e investimeve të huaja. Sipas tij, remitencat kanë shënuar rritje të theksuar në 980 milionë euro në vitin 2020.)
Më tej, ai ka shtuar se ka rritje të kreditimit në baza vjetore, ku ka inkurajuar diasporën për investime në Kosovë.
”Nëse shohim vetëm investimet e huaja direkte, dikun mesatarja për dhjetë vite janë 280 milionë euro investimet e huaja direkt. Në vitin 2020 ka qenë 324 milionë, po si mesatare 280 milionë euro. Prej tyre pjesa dërmuese janë 60 për qind të dedikuara për patundshmëri, ose më saktë në blerje të banesave. Unë besoj dhe ju siguroj që Kosova ofron edhe mundësi të investimeve edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, ka shtuar ai.
Arian Zeka, i cili është drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane tha e zhvillimi ekonomik nis nga njësia themelore, për këtë ka kërkuar që iniciativa të tilla të kenë edhe komunat tjera.
”Rëndësia e diasporës dhe investimet e diasporës janë të patjetërsueshme. Ne jemi jashtëzakonisht të varur si një shtet i ri prej diasporës edhe prej kontributit që jepin në zhvillimin ekonomik të vendit. Është pyetje e pashmangshme sa herë që kemi takime me investitorët e huaj se cila është përqindja ose pjesëmarrja e investimeve të diasporës në totalin e investimeve të huaja, dhe nëse analizojmë strukturën e investimeve se ku ndodhin investimet edhe sipas shteteve, por edhe në cilin sektor ndodhin investimet, atëherë e shohim që është i pashmangshëm kontributi i diasporës”, ka shtuar Zeka.
Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu diaspora po ndihmon Kosovën po aq sa ka vet buxhetin e përgjithshëm.
”Ky vit është rekord i remitencave bashkë me vitin 2020. Por, duhet të pranohet e vërteta që kontributi i diasporës është pothuajse tre-fishi që evidentohet në transaksionet bankare dhe financiare. Në qoftë se në Parlamentin e Kosovës votohet një buxhet prej 2 miliardë e 430 milionë euro, bindeniqë diaspora kontribuon minimum me po aq buxhet për të ndihmuar Kosovën. Ajo cfarë është më shqetësuese është fakti që nuk e meriton ndjersa e pastër e diasporës që të jetë gjykuar paraprakisht për tu shpenzuar në konsum. Duhet një qasje e re, të ndryshohet qasja dhe të mos pyetet gjithmonë ”Çka diaspora dhe sa kontribuoj për Kosovën?”, ka thënë Gërxhaliu.
Ekspertja e marrëveshjeve ekonomike-tregtare, Sytrime Dervisholli shtoi se roli i diasporës është i rëndësishëm, por jo çdo herë i është dhënë trajtimi i duhur. Ajo ka kërkuar që mos të trajtohen njëjtë me investitorët tjerë të huajë. Organizata ”Germin” ka publikuar edhe një hulumtim për qarkullimin vjetor të bizneseve. Arbnor Mjeku nga kjo organizatë ka njoftuar se mbi 1 milion e bizneseve e kanë qarkullimin vjetor 18,6 për qind.
Ndërsa, 100 mijë deri në 500 mijë euro qarkullim vjetor kanë 11,6 për qind. Më tej, 97,6 për qind kanë deklaruar që rritja e buxhetit të tyre është si shkak i ardhjes së diasporës. /KP

Back to top button