VV dorëzon kallëzim penal ndaj Shaqir Totajt
Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Prizren ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren ndaj Shaqir Totaj dhe vartësve të tij nën akuzat për degradim të gjendjes në arsim përmes, siç thuhet në komunikatën e VV-së, zgjedhjes së drejtorëve partiakë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Në komunikatën e VV-së thuhet se procesi i zgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore publike në Komunën e Prizrenit është përcjellur me parregullsi të shumta të cilat e kanë dëmtuar në masë të madhe integritetin dhe kredibilitetin e sistemit arsimor.
“Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, prindërve dhe shoqërisë civile për proces jo transparent e të kundërligjsëm dhe duke marrë për bazë parimin themelor të zgjedhjes së drejtorëve, ai i depolitizimit dhe parimin e ligjshmërisë në proces që parashihen me udhëzimet në fuqi, përmes këtij kallëzimi penal kërkon që organet kompetente të shtetit, të ndërmarrin masat e duhura penale-juridike për të zbardhur të vërtetën me rastin e zgjedhjes së drejtorëve në shkollat e Komunës së Prizrenit”, thuhet tutje në komunikatën e VV-së.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qeverisja e re komunale çdo ditë e më shumë po e degradon qytetin në çdo aspekt. “Andaj lidhur me këtë iu drejtohemi qytetarëvë, atyre që iu mohohen të drejtat ligjore për shkak të veprimeve klienteliste dhe nepotiste të këtij pushteti, shoqërisë civile dhe akterëve të ndryshëm shoqëror që të veprojmë bashkërisht për të ndalur këtë degradim dhe për të detyruar organet komunale të veprojnë në bazë të ligjit dhe konform interesit publik gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre”./21Media