VV e PDK do ta kundërshtojnë me çdo mjet demokratik mini-Shengenin

 

Dy partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës po kundërshtojnë ashpër ndryshimin e qëndrimit të qeverisë Hoti për “mini-Shengenin” Ballkanik. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, po vlerësojnë se kjo nismë rajonale është e dëmshme dhe nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës. Madje, thanë se do të kundërshtojnë me të gjitha mjetet demokratike.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha për kp se ideja e mini-shengenit është ide e Serbisë dhe si e tillë nuk duhet pranuar.

“Ideja për mini-shengenin është e ditur botërisht që është ide e Serbisë e iniciuar para disa viteve nga presidenti Vuçiq. Është një gjë shumë e keqe që përkundër kundërshtimeve që fillimisht i kishte edhe LDK-ja gjatë kohës kur ishte në opozitë në legjislaturën e kaluar, tashmë erdhën në një situatë kur po ia mundësojnë projektin e tij për dominim në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës, e as Shqipërisë”, tha ajo.

E në PDK deklaruan se qeveria Hoti ka hequr dorë nga parimet e veta në Washington kur ka pranuar “mini-Shengenin”. Zëdhënësi Avni Bytyçi u shpreh se kjo është një pikë dobësie për të ardhmen e vendit.

“Është pikë dobësie pse kryeministri ose qeveria e Kosovës edhe pse në parim ju e dini në vitet e kaluar gjitha paritë politike kanë qenë kundër mini-shengenit. Ne besojmë se integrimi në BE duhet të na bashkojë dhe kuptohet qasja në shengen zonë…kryeministri ka hequr dorë nga këto parime dhe ka pranuar që Kosova të jetë në mini-shengein. Por PDK-ja ka qenë kundër atëherë është sot dhe do të vazhdojë të jetë kundër në të ardhmen dhe do të kundërshtojë me të gjitha mjetet e saj”, tha ai.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku u shpreh se kjo nismë rajonale mund të jetë një shtys e madhe ekonomike për thyerjen e barrierave të bashkëpunimit.

“Në situatën aktuale kur Kosova ka bilancin tregtar tjetër negativ dhe është vërshuar nga importet që vijnë nga Serbia, Maqedonia dhe nga shtetet tjera sigurisht që Kosova do të jetë e sfiduar nga kjo hapje tregtare. Por Kosova duhet të llogaritë që gradualisht të shtojë eksportin e vet dhe këtë mënyrë të përmirësojë bilancin tregtar për veti dhe të bëhet një partner i barabartë me një projekt të tillë…5:24 këtë e konsideroj si një shtytje të madhe ekonomike për thyerjen e barrierave ekonomike për stimulimin e bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik të vendeve të rajonit”, u shpreh Sadiku.

Ideja e një mini-shengeni Ballkanik ka lindur vitin e kaluar në Novi-Sad të Serbisë. Aty Kosova nuk ishte e ftuar për dallim prej disa shteteve tjera rajonale, derisa ka vazhduar në Ohër e Durrës./kp

Back to top button