VV-ja fton Hotin të raportojë në Kuvend për “Zajednicën”

 

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë njoftuar se e kanë ftuar kryeministrin Avdullah Hoti në raportim përpara Komisionit për Legjislacion. Sipas tyre, Hoti ftohet për “paralajmërimet e tij për zbatimin e marrëveshjes kundërkushtetuese për themelimin e Zajednicës’”.

Në njoftimin e tyre VV-ja ka theksuar se Hoti, gjatë vizitës në Bruksel, dje ka deklaruar ndër të tjera se “Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne do ta respektojmë plotësisht atë…”.

Sipas tyre, ky qëndrim i Avdullah Hotit duke shpërfillur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është tendencë për ta vënë marrëveshjen për “Zajdenicën” mbi Kushtetutën dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

”Politikisht kjo marrëveshje bosnjëzon Kosovën dhe vendosë konditat për ndarje dhe defunksionalizim të shtetit të Kosovës, kurse në kuptimin kushtetues rrënon rendin kushtetues. Zajednica është projekt i vdekur, i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese pas kundërshtimit qytetarë dhe opozitarë’’.

VV-ja ka shkruar se Avdullah Hoti nuk mund t’i imponojë Kosovës dhe popullit të saj një projekt kundërkushtetues dhe që rrënon mundësinë për një shtet unitar dhe funksional.

‘’Siç dihet, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në Aktgjykimin KO130/15, të datës 23 dhjetor 2015, ka konstatuar se Parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk janë në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës dhe barazinë para ligjit’’, ka shkruar VV-ja në reagimin e tyre të bërë në Facebook.

Sipas tyre, kjo marrëveshje nuk mund të rivihet në vëmendje sado përkushtimit të Hotit për të përmbushur kërkesat e Serbisë. /21Media

Back to top button