VV-ja në Lipjan akuzon Ahmetin dhe zyrtarët e tij për sulme dhe kërcënime

Aktivistët dhe asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti se i ka sulmuar dhe kërcënuar.
Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan përmes një postimi në ”Facebook”, ka treguar se sot teksa po vazhdonte punimet seanca e Kuvendit Komunal në Lipjan, aktivistë dhe asambleistë të LVV-së, u sulmuan nga Kryetari i Komunës dhe zyrtarët e tij, duke shpifur e kërcënuar aktivistin Blerton Vehapi, i cili po merrte pjesë në seancën publike të Kuvendit.
”Në fakt, pezmi e zemërimi i Imri Ahmetit ndaj aktivistit Blerton Vehapi kishte filluar qysh në tetorin e vitit të kaluar, në ditën e zgjedhjeve, ku Imri Ahmeti, para një mase të konsiderueshme të njerzve, kishte përdorur gjuhë të urrejtjes dhe linçuar publikisht atë. Tendenca për ta përdorur intimidimin dhe kërcënimin ndaj një të riu 20 vjeçar, për t’ia shuar zërin, nuk i bën aspak nder një kryetari të komunës, i cili supozohet të kujdeset për të gjithë qytetarët pa dallim. Mësyerja e pakuptimtë që Imri Ahmeti ka ndërmarrë ndaj Blertonit e asambleistëve tanë, është skandaloze dhe si e tillë duhet të shihet me kujdes, sepse përbën një mesazh të qartë ndaj çdo të riu e të reje që aktivizohet politikisht e ka qëndrime të ndryshme me të”, thuhet në njoftim.
Sipas LVV-së dega në Lipjan, asambleistë të LDK-së e kanë vazhduar sulmin e kërcënimet e ashpra ndaj asambleistëve LVV-së, duke u munduar të nxjerrin jashtë me forcë aktivistët, me ç’rast asamblesitë e LDK-së Venhar Agushi dhe Fitim Shala kapin me dhunë aktivistët dhe ia marrin dhunshëm nga dora telefonin asambleistes së LVV-së.

”Lëvizja Vetëvendosje qendra Lipjan, dënon fuqishëm aktin skandaloz të Imri Ahmetit dhe vartësve të tij ndaj aktivistëve e asambleistëve tanë, ndërsa po shohim të gjitha mjetet dhe mundësinë për reagim ligjor në këtë drejtim. Ia kujtojmë edhe njëherë Imri Ahmetit, se nuk ia kemi as respektin e as frikën dhe se angazhimi ynë politik në mbrojtje të interesit të qytetarëve e denoncimin e keqpërdorimeve nuk do të arrijë që ta ndalë”, thuhet tutje në njoftim./21Media
Back to top button