VV jep shenja se draft-statuti i Asociacionit mund të publikohet së shpejti

Janë bërë më shumë se një muaj që kur Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua draft-statuti evropian për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe ende nuk dihet se çfarë në fakt përmban ai draft.

Opozita fajëson qeverinë për mospublikim e draft-statutit të Asociacionit.

Deputeti i PDK-së Elmi Reçica thotë se drafti-statuti i BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të publikohet sa më parë.

“Kjo qeveri po del që është më konspirativja se çdo qeveri tjetër. Ai vazhdimisht arsyetohet që kemi nga këta ose ata sugjerime që mos ta publikojmë (draftin) ose debatojmë është e vonshme dhe ka qenë dashur që në start ne si deputetë por edhe qytetarët ta kemi draft-statutin e më pas të disktojmë”, tha ai për RTV21.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ndërkaq thotë se mospublikimi i draft-statutit të BE-së për Asociacionin ka krijuar konfuzion dhe mosbesim.

“Ka qenë e papërgjegjshme mbetët e papërgjegjshme qytetarët, deputetët ekspertët por edhe ata që kjo temë është interesit të veçantë, transpraneca do të duhej të ishte në nivel të duhur, dhe mospublikimi ka krijuar edhe konfuzion ka ngritur edhe tensione mosbesim mbi të gjitha edhe komplikime në të gjithë atë që është ndërtuar ose tentuar të ecët tutje në dialog”, tha Zemaj.

Në anën tjetër partia në Pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se draft-statuti i BE-së për Asociacionin do të publikohet së shpejti.

Sipas deputetit, Adnan Rrustemi, transparenca për këtë draft është shumë e rëndësishme por që qeveria po e respekton kërkesën e ndërmjetësuesve të BE-së për konfidencialitet.

“Do të ishte mirë të ishte publik, të diskutohej edhe në mesin e specialistëve dhe në mesin e skenës poltike por është çështje e fasilituesëve por besoj që së shpejti do të jetë publik qoftë nëse pranohet qoftë nëse jo ai do të jetë një dokument publik dhe do të ketë mundësi të ketë mundësi të diskutimit. Unë mendoj se transparenca është shumë e rëndësishme por në rastin konkret është krejtësisht një kërkesë e ndërmjetësueseve për sa kohë është një dokument pune, por Kosova nuk mendoj se duhet të jetë palë destruktive duke e thyer këtë kërkesë apo zotim për ndërmjetësuesit”, tha Rrustemi për RTV21.

Ditë më parë, në një përgjigje për RTV21 Bashkimi Evropian ka thënë se draft-statuti i Asociacionit nuk është publikuar pasi përpjekjet diplomatike për këtë çështje janë duke vazhduar dhe se konfidencialiteti është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar./21Media

Back to top button