VV: LDK-ja po këmbëngul që ose të marrin më shumë se ç’u takon, ose asgjë

“VV vazhdimisht do të kërkojë bashkëpunim në të mirë të Kosovës”

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook, kanë theksuar se pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve, shkuan në këtë seancë pa koalicion.

VV ka bërë të ditur se kanë kërkuar marrëveshje të drejtë e shpërndarje proporcionale të përgjegjësive, por që sipas tyre pala tjetër(LDK) po këmbëngul që ose të marrin më shumë se ç’u takon, ose asgjë.

“Të dyja këto mundësi janë zhgënjyese. Shumë më lehtë e shpejt janë lidhur në të shkuarën marrëveshje që i kanë sjellë dëm Kosovës, por e paskan shumë të vështirë të lidhin marrëveshje me subjektin e vetëm të pakorruptuar, që ka vullnet e plan të luftojë varfërinë e korrupsionin. Situata po ndryshon, me kalimin e kohës dhe afateve kushtetuese, megjithatë Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht do të kërkojë bashkëpunim në të mirë të Kosovës. Urime edhe një herë deputetëve për fillimin e Legjislaturës VII. Qoftë kjo legjislatura që e prodhon ndryshimin, sepse qytetarët kanë votuar për ndryshim rrënjësor, s’kanë kohë për të humbur e durim për të pritur”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e VV-së.

Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për RTV21 ka thënë se zgjedhja e Konjufcës kryetar i Kuvendit është hap i njëanshëm i VV-së. Kryetari i LDK-së përjashtoi mundësinë e votimit të qeverisë së re pa konsultime nga ana e Vetëvendosjes.


Sot konstitua Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. U zgjodhën edhe pesë nënkryetarë të Kuvendit: Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga LDK-ja, Memli Krasniqi nga PDK-ja , Sllavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet joshumicë./21Media

 

 

Back to top button