VV mbajti mbledhje me drejtuesit e qendrave të saj, Kurti u foli për dialogun

Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur një mbledhje të përbashkët me drejtuesit e qendrave të saj në Kosovë dhe mërgatë ku prezent ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Sipas njoftimit për media, Kurti u ka folur atyre edhe rreth aktualitetit politik dhe siç njofton kjo parti, kanë diskutuar edhe mbi ecurinë e procesit të dialogut dhe zhvillimet e fundit me të.
“Çështjet organizative gjithashtu janë trajtuar nga drejtuesit e qendrave me ç’rast është theksuar rëndësia e bashkërendimit organizativ në mes të strukturave organizative të LV-së dhe organizatës së saj, RVV-së. Aktivitetet e realizuara përgjatë këtyre muajve nga qendrat e RVV-së, raportet e punës nga qendrat për muajin prill dhe vizitat regjionale në qendra, janë diskutuar po ashtu përgjatë këtij takimi”, thuhet ndër tjera në njoftim.
Në këtë mbledhje morën pjesë edhe sekretari organizativ i LV-së, Alim Rama, koordinatori i qendrave, Valon Hoti, si dhe kryetari i Organizatës së Rinisë për VETËVENDOSJE! (RVV), Behar Jashari./21Media