VV: Numri i komunave të fituara nuk është i kënaqshëm

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka analizuar rezultatet e zgjedhjeve për kryetar dhe asamble komunale, për të cilat kjo parti që udhëheq me nivelin qendror thotë se nuk kanë qenë të mira.
VV thotë se këto zgjedhje kanë qenë mësim për ta, por se nuk dorëzohen.
Në zgjedhjet e 17 tetorit, ku 21 komuna shkuan në balotazh më 14 nëntor, Lëvizja Vetëvendosje fitoi në katër komuna, por humbi Mitrovicën, Prizrenin dhe Prishtinën, të cilën e pati fituar me Shpend Ahmetin, që më pas u largua nga kjo parti.
Fitorja në Shtime, Gjilan, Kamenicë e Podujevë, si rezultat i përgjithshëm në këto zgjedhje nuk po shihet si sukses për partinë e Albin Kurtit.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ndër faktorët që ndikuan që të mos fitojnë më shumë komuna, ndonëse në 12 prej tyre ishin në balotazh, janë bashkimi i partive tjera rreth kundërkandidatëve të VV-së në zgjedhje, si dhe pandemia me koronavirus.
“Pranojmë të nxjerrim mësime sepse politika është shkolla jonë e përhershme. Ne kemi qenë të papërsosur kundrejt bashkimit të përkryer të kapitalit. Ata të gjithë u bashkuan sepse sot bashkë ruajnë kapitalin. Garojnë në pasuri dhe bashkohen në politikë. Në të dyja u pengon VETËVENDOSJA! Andaj e luftuan bashkë. Edhe heshtazi edhe zhurmshëm. Ata nuk kanë ndryshuar. Kanë mbajtur veç zgjedhjet e tyre të brendshme, por janë të njëjtë për së jashtmi. Për qytetarët mbesin të njëjtë. Meqë sot nuk mund ta zhvillojnë korrupsionin prej kateve të ndryshme qeveritare ata po duan të provojnë nëpër komunat e ndryshme të qyteteve. Prej lartë, po duan ta zbresin më poshtë. Aty është edhe më i dëmshëm. I prek e gjymton edhe më shumë jetët e qytetarëve. Kryesisht nëpërmjet mafisë së ndërtimit. Këtu do të jetë lufta jonë dhe duhet të jemi syçelë”, thuhet në një postim në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje, në rundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk arriti të fitojë asnjë komunë. Në rundin e balotazhit, VV-ja fitoi në katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh./21Media

Back to top button