Walker: Nga sakrifica e shumë djemve të Reçakut Kosova gëzon demokracinë

(Lajm i përditësuar)


Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut në përvjetorin e 25-të të kësaj masakre.

Walkeri ka thënë se nga sakrifica e shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.

Ai ka thënë se ndihet krenar që ndodhet në mesin e familjarëve të viktimave këtë ditë.

“Kjo është hera e parë që duhet të vij me shkop, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem. Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, ka thënë ai.


Sot bëhen 25 vjet që kur ndodhi Masakra e Reçakut. Me këtë rast, tre liderët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca do të vendosin kurora në memorialin e viktimave të kësaj masakre.

RTV21 raporton se në 25 vjetorin e masakrës i pranishëm është edhe ish-ambasadori William Walker.


25 vjet nga Masakra në Reçak

Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit.

Pas Masakrës në Reçak, rifilluan luftimet 48-orëshe në mes të UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.

Back to top button