Wisner: Propozimi franko-gjerman hap pragmatik, edhe nëse nuk e zgjidh menjëherë çështjen e sovranitetit

Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Ambasadori Frank Wisner e ka cilësuar propozimin franko-gjerman si një hap të ardhshëm pragmatik dhe që me kalimin e kohës, ndoshta një ditë, palët të  kthehen tek çështja e sovranitetit. Në një intervistë me RTV21, ai e cilësoi propozimin të ngjashëm me modelin gjermano-gjerman, dhe tha se ai nuk e zgjidh përfundimisht çështjen me Serbinë, por synon të krijojë hapësirë brenda së cilës Kosova dhe Serbia mund të jetojnë dhe bashkëpunojnë pa pasur nevojë që të ndërmarrin hapin përfundimtar të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ambasadori Wisner tha se bashkësia ndërkombëtare mori vendim të shtynte përpara shpalljen e pavarësisë së Kosovës pavarësisht kundërshtimit të Rusisë dhe Serbisë. Ai tha se Kosova në 15 vjetët e saj ka arritur të ndërtohet një shtet sovran, i pavarur dhe demokratik me institucione të qëndrueshme.
Arbër Vllahiu zhvilloi bisedën me Ambasadorin Wisner
RTV21: Ambasador Wisner faleminderit shumë që keni ndarë kohën me mua sot.
Ambasadori Wisner: Faleminderit Arbër. Është nder të jem me ty.
RTV21: Ambasador, sot Kosova feston 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë saj. Ju ishit pjesë e Trojkës, në bisedimet shtesë në vitin 2007 që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ishte atëherë pavarësi e mbikëqyrur. Pesëmbëdhjetë vjet pas si e shihni këtë proces?
Ambasadori Wisner: Pa dashur që t’ju mbulojë me dëshmi, por në fakt unë iu bashkova negociatave në vitin 2005 si përfaqësues i sekretarit amerikan të shtetit në negociatat shumë të kujdesshme dhe të hollësishme të Presidentit Ahtisaari për kushtet e statusit përfundimtar. Kur kjo nuk u pranua nga qeveria e Serbisë, G7 apo G8 u pajtua të zgjasë negociatat dhe krijoi troikën dhe rrëfimi filloi ashtu si e thatë në fillim. Pra 15 vjet dhe unë jam i kënaqur dhe i pakënaqur njëkohësisht, I kënaqur për Kosovën dhe më vjen keq që më shumë nuk është arritur për Kosovën. Do të doja të shpresoja se në 15 vjetor Kosova do të ishte e pranueshme plotësisht nga bashkësia ndërkombëtare, se do të kishte marrëdhënie të normalizuara me Serbinë dhe që ekonomia e saj do të ishte më e fortë dhe të ishte më e pranishme në sistemin ekonomik evropian. Derisa disa nga objektivat e mia dhe disa shpresa të mia atë kohë janë arritur por gjithashtu disa nuk janë plotësisht të arritura. Prandaj detyrat vazhdojnë për të arritur shkallën e plotë të njohjes, paqes dhe përparim për Kosovën dhe këto janë detyra përpara nesh.
RTV21: Por, Ambasadori Wisner as plani gjithëpërfshirës i Ahtisaarit madje as edhe qëndrimet e Troikës në fund të procesit nuk i pajtoi qëndrimet e palëve. Serbia doli kundër çdo propozimi. A nuk ishte e qartë atëherë se Serbia dhe Rusia nuk do ta pranonin propozimin?
Ambasadori Wisner: Fatkeqësisht ishte e qartë dhe kjo na e bëri të qartë neve dhe evopianëve, gjithashtu, se ka ardhur koha për t’i dhënë fund gjendjes nën të cilën Kosova jetonte më shumë se një dekadë më heret dhe të na mundësonte ose inkurajojë që të shtyjmë shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Përballë kundërshtimit rus dhe serb vendimi për të shtyrë përpara shpalljen e pavarësisë së Kosovës është marr me kuptimin e qartë se kjo nuk ishte e pranueshme për Serbinë apo Rusinë.
RTV21: Ambasador, e përmenda Rusinë. Ambasadori aktual rus në Serbi, Botsan Kharchenko, ishte pjesë e Troikës. Nëse mund të më thoni: Pse nuk patët mundësi të bënit presion mbi Rusinë për të pranuar planin Ahtisaari për të ardhmen e Kosovës?
Ambasadori Wisner: Mund t’ju siguroj se çdo përpjekje është bërë për t’i bindur rusët se ky është rezultati i drejtë, se ishtë një zgjidhje e paevitueshme. Të njëjtat fuqi të bindjes nga pala evropiane dhe nga ne u drejtuan ndaj Kryeministrit Koshtunica në Serbi. Por, as serbët as rusët nuk ishin të gatshëm që të heqin dorë nga qëndrimi i tyre. Në parim kryesisht rusët që kishin më shumë pjesëmarrje në çështje ishin të gatshëm që të përcillnin shembullin e Serbisë, prandaj ishte bindja serbe që bëri që Rusia të qëndrojë krah Serbisë.
RTV21: Jemi 15 vjet pas. Problemet janë pothuaj të njëjta. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po vazhdon prej më shumë se një dekade. A nuk gjendemi prapë në fillim të problemit?
Ambasadori Wisner: Jo. Nuk jemi. Së pari, Kosova kishte 15 vjet që ta bënte veten një shtet të pavarur, të ndërtonte institucionet e veta, të tregonte sistemin e saj të fuqishëm demokratik, i ka ndryshuar qeveritë e saj përmes zgjedhjeve, ka treguar se është e aftë të jetojë si një shtet sovran, i pavarur dhe i respektueshëm. Kjo është një e arritur e madhe. E dyta, Kosova ka krijuar institucionet, ato të drejtësisë dhe të sigurisë, institucionet e veta ekonomike. Këto janë gjithashtu të arritura të mëdha. Ajo që nuk është arritur është një mirëkuptim me Serbinë. Dhe ne gjithnjë e kemi ditur se kjo do të jetë e vështirë për shkak të fuqisë së ndjenjave nën pushtetin e liderëve të tyre, se Kosova duhet dhe do të mbetet pjesë e Serbisë.  Pikëpamje kjo që ne sigurisht nuk e kemi pranuar. Prandaj nuk ka pasur përparim me Beogradin dhe kjo nuk është arsye të thuhet se janë humbur 15 vjet.
RTV21: Por a është arritur përparim në pjesën veriore të Kosovës brenda këtyre 15 vjetve. Ne kemi parë probleme çdo vit dhe çdo periudhë. Dhe sërish po shohim probleme në pjesën veriore.
Ambasadori Wisner: Jam i sigurt se kjo është e vërtetë nga njëra perspektivë e marrëdhënieve me Serbinë. Për këtë sapo argumentova. Duhet të shihni gjithë pamjen. Pavarësia e Kosovës ka sjellur përfitime thelbësore për qytetarët e Kosovës, tashmë. Nuk është përfunduar ende. Dhe kërkimi për një marrëvehsje me Serbinë vazhdon. Dhe prandaj, besoj unë, se nisma të cilës i referohen pjesës gjermane dhe franceze, ofron një rrugë potenciale përpara. Jo që përfundimisht ta zgjidh çështjen me Serbinë, por të krijojë hapësirë brenda së cilës Kosova dhe Serbia mund të jetojnë dhe bashkëpunojnë pa pasur nevojë që të ndërmarrin hapin përfundimtar të njohjes së pavarësisë së Kosovës efektivisht. SHBA-ja dhe evropianët janë pajtuar por jo edhe serbët.
RTV21: Por ka hezitime në Beograd dhe Prishtinë për këtë propozim gjermano-francez. për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E shihni këtë të jetë një shembull i mirë për të ecur përpara…
Ambasadori Wisner: …Natyrisht
RTV21: … apo e shihni të jetë diçka e ngjashme me Marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Ambasadori Wisner: Jo unë e shoh gjithashtu përtej kësaj. Sepse kësaj here evropianët janë të përfshirë plotësisht, ka një precedent ndërkombëtar për idetë që unë besoj se janë në tavolinë. Nuk e kam parë draftin përfundimtar se si duket propozimi franko-gjerman dhe nuk dua të jem mbrojtës. Por një model dhe ta nënvizoj një model i përafërt me qasjen gjermano-gjermane ku secila palë pajtohet që të jetojë dhe lejon të jetohet me palën tjetër, të zgjerojë tregtinë, të zgjerojë lëvizjen përtej kufirit, të mos ndërhyjë në politikën e jashtme të njëra tjetrës, aspiratat e politikës së jashtme, të kenë mundësi që të përparojnë për t’iu bashkohen Evropës, që të gjitha këto, të gjithë këta hapa  janë të mundshëm brenda, në atë që mendoj unë, është ideja gjermano-franceze.
RTV21: Por pse duhet tani t’i besojmë Beogradit se do ta pranojë këtë propozim kur nuk e bëri këtë në vitin 2008, psh?
Ambasadori Wisner: Ideja gjermano-franceze, nëse e kuptoj drejt, nuk ishte në tavolinë në vitin 2008. U diskutua jozyrtarisht. Por atëherë serbët dhe rusët nuk ishin të gatshëm ta shohin. Tani keni shansin, mbase, ta shihni sërish. Nuk e dijmë me siguri. E them sërish, nuk është vënë në tavolinë zyrtarisht ende dhe të jetë hedhur poshtë. Por në këtë mënyrë, avantazhi i propozimit gjermano-francez, me sa e kuptoj, është se asnjëra palë nuk heq dorë nga pika jetike e parimit: Serbia nuk pajtohet me pavarësinë e Kosovës dhe Kosova e pohon pavarësinë e saj. Të dyja palët pajtohen që të mos pajtohen por të ecin përpara dhe të zhvillojnë marrëdhënie më normale; marrëdhënie ekonomike, kulturore dhe të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin edhe pse ata nuk pajtohen për këtë çështje parimi. Është një hap i ardhshëm pragmatik, duke lejuar kohën të kalojë që ndoshta një ditë të kthehen tek çështja e sovranitetit.
RTV21: SHBA-ja është e angazhuar plotësisht tani në këtë proces. Por ajo ka kërkuar kompromise. Si të lexohen kompromiset, posaçërisht këtu në Prishtinë? Çka është kompromisi?
Ambasadori Wisner: Edhe njëherë unë nuk jam pjesë e aktiviteteve diplomatike të SHBA-së. Unë e kam lënë atë punë prej vitesh. Nuk mund të flas në mënyrë specifike se çfarë po diskuton SHBA-ja qoftë me Prishtinën ose me Beogradin. Por është çështje e përgjithshme, Mund të supozoj nga njohuritë për situatën se SHBA-ja do të donte të shihte diçka si propozimi franko-gjerman të jetë instaluar, sepse kjo do të mundësonte uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të mundësonte një shkallë të normalizimit edhe nëse çështja e sovranitetit nuk është zgjidhur, do të mundësonte zhvillimin ekonomik të rajonit dhe do të hapte derën integrimin më të thellë të rajonit në komunitetin perëndimor dhe në BE. Pra gëzon mbështetjen amerikane edhe pse nuk mund të komentoj më shumë hollësi.
RTV21: Ambasador Wisner, çështja më e nxehtë për Kosovën mbetet ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. A mund të jetë kjo një pengesë e arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Ambasadori Wisner: Natyrisht, çdo gjë mund të jetë një pengesë për arritjen e marrëvehsjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga cilado palë. Kemi parë tensione së fundmi rreth targave të makinave. Pse jo edhe mosmarrëveshjet që ekzistojnë rreth Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Unë gjithashtu kam parë të gjitha mosmarrëveshje të këtij lloji që bëhen në Bosnjë e Hercegovinë, por mund të tejkalohen me negociata të kujdesshme, këmbëngulëse, duke adresuar shqetësimet e të gjitha palëve. Pra unë vetëm mund të shpresoj se rezervat e Kosovës për Asociacionin mund të tejkalohen kur Kosova të ketë vënë kushtet e saj në tavolinë dhe negociatorët të provojnë të gjejnë baza kompromisi.
RTV21: Si të pajtohen qëndrimet e papajtueshme. Beogradi do…
Ambasadori Wisner: … nuk e shoh ashtu. Mendoj se është një përfundim i gabuar. Nuk ka konkluza të papajtueshme. Ka konkluza që është e vështirë të pajtohen. Por kjo s’do të thotë se janë të papajtueshme.
RTV21: Dhe Ambasador, më lejoni t’ju pyes, në këtë 15 vjetor të pavarësisë së Kosovës a shihen shenja të pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe posaçërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë?
Ambasadori Wisner: Po dhe jo. Po sepse në këto 15 vitet e kaluara ka pasur lëvizje thelbësore në Ballkan. Tensionet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së veriut janë gjerësisht të shmangura, Maqedonia dhe Greqia kanë arritur një marrëveshje të tyren, Mali i Zi me sukses është ndarë nga Serbia dhe e ka krijuar veten. Situata mbetet pakënaqshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, situata mbetet e pakënaqshme ndërmjet Republkikës Serbe dhe Bosnjës. Pra, po ka pasur përparim dhe jo nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm,
RTV21: Ambasador faleminderit shumë që ishit mysafir imi.
Ambasadori Wisner: Faleminderit për intervistën. Dhe dëshirat më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë moment historik, 15 vjet të pavarësisë. Diçka që unë para 20 vjetëve kurrë s’do të mund ta imagjinoja. Por unë ju bashkohem në festën tuaj sot!/21Media

Back to top button