Limaj: Atyre që e mohojnë historinë duhet t’ju kujtojmë kush e ndërtoi shtetin e Kosovës

Një festë për 15-vjetorin e Pavarësisë i është dedikuar ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po përballen me akuza në Gjykatën Speciale. Organizmi është drejtuar nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i cili ka deklaruar se është koha që t’u kujtohet atyre që e mohojnë historinë se kush ishin ata që e shpallën pavarësinë dhe ndërtuan shtetin e Kosovës.
Limaj ka thënë se çdo përvjetor i pavarësisë është moment i kujtimit dhe nderimit të dëshmorëve të kombit në krye me komandantin legjendar, Adem Jasharin.
“Sot të gjithë jemi mbledhur këtu për të nderuar dhe për të shprehur mirënjohje përjetësisht për shpallësit e pavarësisë së Kosovës. Ne sot këtu bashkë, këtu sa jemi, e kudo shqiptarët ku janë, nderojnë e festojnë me ata që çliruan e ndërtuan dhe e shpallen Kosovën shtet të pavarur e të lirë”, ka thënë Limaj.
Ai ka thënë se përmes këtij organizmi po shprehim mirënjohje ndaj atyre që sipas tij e bënë të mundur pavarësinë e Kosovës.
“Në çdo 17 Shkurt është moment i reflektimit e i nderimit, e mirënjohjes së përjetshme thellë të atyre të cilët e bënë të mundur pavarësinë e Kosovës. Ne këtu sot si qytetarë kemi dalë për të festuar me ju që padrejtësisht jeni atje ku nuk duhet me qenë. Ju që bëtë çdo gjë për lirinë e Kosovës dhe për shtetnderimin. Tani është koha që ju të flisni, është koha edhe njëherë t’u kujtoni atyre të cilët mohojnë historinë dhe lirinë e Kosovës kush janë ata që shpallën dhe ndërtuan shtetin e Kosovës. Më vjen mirë që iniciativa rinore ka zgjuar nga përgjumosja e shumë njerëzve, këtë e pamë edhe sot në manifestime, pavarësisht pengesave për të bërë këtë festë të përbashkët, sot e kanë fjalën ata që si sot para 15 viteve çdo shtëpi shqiptare kudo e mbushën me emocion dhe kthyen e realizuan ëndrrën e madhe të stërgjyshëve tanë, pavarësinë e Kosovë”, ka shtuar ai.
Në këtë organizim kanë marrë pjesë edhe drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së si dhe deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në kuadër të këtij organizmi, në qendër të Prishtinës është shfaqur video e seancës së mbajtur 15 vjet më parë ku ishte shpallur Kosova shtet i pavarur, në shenjë nderimi për ata që lexuan Deklaratën e Pavarësisë por sot ndodhen në Hagë.
Aktualisht në qendrën e paraburgimit në Hagë, në pritje të fillimit të gjykimit, po qëndrojnë ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli si dhe deputeti Rexhep Selimi.
Gjithashtu atje ndodhet ish pjesëtari i UÇK-së Salih Mustafa, Pjetër Shala dhe ish-drejtuesit e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Back to top button