Xhaçka reagon ndaj deklaratave të ministrit britanik kundër shqiptarëve

Ministria e Jashtme e Shqipwrisë, Olta Xhaçka ka dënuar deklaratat e bëra nga ministri britanik për Emigracionin kundër shqiptarëve. Ajo i ka cilësuar të turpshme deklaratat kundër emigrantëve shqiptarë të përdorura nga ministri Robert Jenrick, ndërsa shton se ky është një linçim që i bëhet një komuniteti që ka kontributin e tij në ekonominë dhe shoqërinë e Britanisë së Madhe.
Teksa shprehet e shokuar, Xhaçka tha se deklarata të tilla bëhen pas një komunikate të përbashkët të kryeministrave të Shqipërisë dhe Britanisë të cilët vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe.
“E tronditur dhe pa fjalë kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për Emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë për disa vota më të mjerueshme. ‘Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin’! Një linçim verbal i një grupi të tërë etnik në gjuhën që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas një komunikate të përbashkët të kryeministrave të Shqipërisë dhe Britanisë të cilët vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të madhe që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”, shkruan Xhaçka në Twitter.
Reagimi i ministres Xhaçka u shoqërua edhe me videon e ministrit britanik të Emigracionit, i cili deklaronte në mënyrë të ashpër dhe të pahijshme “gjeni shqiptarët, ndalojini dhe çojini në aeroport për t’i kthyer në Tiranë”.
Madje në video ministri shprehet se bashkë me emigrantët po kthehen edhe kriminelë të rrezikshëm të dënuar për drogë, ku sipas tij kjo mënyrë do rrisë sigurinë e komunitetit, duke “shënjestruar shqiptarët si arsyen e problemeve të Britanisë së Madhe”.
“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shtetasve të huaj. Dje vizitova një qendër largimi imigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Është ora 4 e mëngjesit dhe jam këtu duke parë largimin e emigrantëve shqiptarë. Ata janë nisur drejt aeroportit dhe në mëngjes do të jenë në Tiranë.
“Jam takuar me stafin e mrekullueshëm që po punon për të gjetur shqiptarët, t’i ndalojë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm emigrantët e paligjshëm që kanë kaluar kanalin me varka të vogla, por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë. Në këtë mënyrë ne nuk po mbrojmë vetëm kufijtë tanë, por po e bëjmë komunitetin tonë më të sigurt duke larguar këto kriminelë. Kjo është një pjesë e planit tonë për të mbajtur komunitetet tona të sigurta dhe të përballojmë fluksin në sistemin tonë të azilit dhe emigrimit’, thotë ministri britanik.
Prej muajsh sulmet ndaj shqiptarëve dhe etiketimi i tyre si kriminelë po ndodhin nga zyrtarë të ndryshëm britanik, ku reagimet nuk kanë munguar as nga qeveria shqiptare duke i dënuar deklarata të tilla. Kjo situatë madje ka bërë që kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij britanik, Rishi Sunakn të arrijnë një marrëveshje bashkëpunimi, fokusuar kryesisht në ndalimin e emigrantëve të jashtëligjshëm. Sipas marrëveshjes Shqipëria dhe Britania do të formojnë një Task Forcë të Përbashkët me qëllim parandalimin dhe ndërprerjen e migracionit të paligjshëm, ndërsa është vlerësuar edhe roli dhe kontributi i emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britani në mënyrë të ligjshme.

Back to top button