Interi rikthehet te fitorja, vendos Lautaro

Interi mundi Veronën 1-0 në ndeshjen e vlefshme të xhiros së 18-të të Serisë A. Zikaltrit përfitojnë nga disfata e Juves ndaj Napolit dhe barazojnë bardhezinjtë më pikë dhe ndajnë vendin e tretë, duke iu afruar në -1 Milanit dhe duke mbetur -10 nga liderët.
Ndeshja në “Meazza” u vendos nga goli i Lautaro Martinez pas vetëm 3 minutash lojë. Sulmuesi argjentinas goditi saktë me të majtë nga afro 15 metra, duke e dërguar topin në cepin e portës.
Interi megjithatë bëri një ndeshje me ritëm të ulët, me pak ide dhe me përshtypjen sikur donin të kursenin energji për sfidën e Superkupës të së mërkurës kundër Milanit. Megjithatë, për të sjellë trofeun e parë në shtëpi duhet të bëjnë një ndeshje shumë më të mirë se kjo, pavarësisht se as Milan nuk po kalon në formë të mirë.
Disa minuta u rezervuan edhe për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, që hyri në lojë në minutën e 69-të.
Në minutën e 81-të Asllani pati edhe një mundësi për të shënuar duke provuar me një gjuajtje me të djathtën, por topi shkoi ngjitur me trekëndëshin e portës së Veronës.

Back to top button