Xhaka i emocionuar para ndeshjes me Kosovën: Edhe pse në fanellën tjetër, shpresoj të ju bëjë të lumtur

Ylli zviceran me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka është paraqitur sot në konferencën për media të Zvicrës, para ndeshjes së nesërme kundër Kombëtares së Kosovës.

Xhaka foli për ndeshjen e nesërme ndaj Kosovës, ku tha se edhe pse është në fanellën tjetër (atë të Zvicrës), ai shpreson që t’i bëjë kosovarët të lumtur, raporton KosovaPress.

Xhaka tha që s’i ka ndodhur kurrë që ta ketë prezent familjen e tij në një konferencë për media, ndërsa tha se në Kosovë ndjehet sikur në shtëpinë e tij.

“Jo s’ka ndodhur kurrë, por ju e dini më së miri se unë e ndjej vetën si në shtëpi temën këtu, sidomos familja ime, edhe atë respekt që na e jepni neve, na mundohem me ja u jep juve, jo vetëm jashtë fushës por edhe në fushë. Ndjehem shumë krenarë që jam sot këtu, edhe shpresoj se nesër, edhe pse jom në fanellën tjetër, besoj se ju bëjë edhe juve të lumtur”, tha Xhaka.

Edhe pse ka luajtur kundër Shqipërisë dhe Serbisë, Xhaka tha se ndeshja e nesërme kundër Kosovës do të jetë shumë e veçantë dhe plot emocione për të.

“Një lojë e veçantë për mua, për familjen tonë, për gjithë Zvicrën besoj. Nuk krahasohet loja me Shqipërinë, me Serbinë me Kosovën, sepse kanë qenë tri lojë komplet ndryshe. Jam shumë i kënaqur që jam sot këtu, edhe besoj se nesër ndeshja me shumë emocione”, tha Xhaka.

Kur u pyet se a ka bërë Zvicra ndonjë përgatitje ndryshe ndaj Kosovës, Xhaka tha se trajneri e ka përgatitur kombëtaren “Helvetike” si gjithmonë, dhe se lojtarët duhet të tregojnë vetën në fushë.

“Jo na Kosovën e njohim shumë mirë, e dimë edhe i njohim edhe lojtarët, por trajneri na ka përgatit si gjithmonë, si kundër Kosovës, si kundër Rumanisë, edhe lojtë e tjera, kështu që ne jemi përgatit shumë mirë, por nesër duhet na lojtarët me kallxu vetën edhe në fushë”, tha Xhaka.

Për fund, Graniti kishte edhe një mesazh sa i përket dukurisë së fundit ku lojtarët po largohen nga Kombëtarja e Kosovës.

“Unë e shoh këtë gjë shumë pozitivë, sepse jo vetëm se e kemi një kombëtare, por ndoshta i kemi tri-katër kombëtare, kështu që i kemi shumë shqiptarë ku lujnë nëpër ekipe të mëdhaja, nëpër nacionalitete të mëdhaja, me kombëtare të mëdhaja, por nuk e di, gjithkush duhet me vendos për vetveten, edhe me vendos ku po shkon, qysh po shkon ose çka po bën, kështu që përgjigja për mua është shumë e vështirë për me dhënë një përgjigje të mirë”, tha Xhaka.

Kosova e pret Zvicrën nesër në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

Back to top button