​Xhaka ka një mesazh për Arsenalin pas eliminimit nga Liga e Kampionëve

Granit Xhaka insiston se Arsenali mundet ende ta fitojë Premier Ligën pavarësisht humbjes nga Aston Villa javën e kaluar.

Një humbje 2:0 në stadiumin “Emirates” e la skuadrën e Mikel Artetas në vend të dytë në Premier Ligë dhe dy pikë prapa liderit të tabelës Manchester Cityt, ku kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund të sezonit.

Arsenali më pas u eliminua nga Liga e Kampionëve pas humbjes 1:0 nga Bayern Munichu të mërkurën mbrëma.

“Topçinjtë” e kanë shansin që të marrin vendin e parë sërish në Premier Ligë me një fitore si mysafir kundër Wolverhampton nesër, dhe Xhaka ka theksuar se si ish-klubi i tij nuk duhet të dorëzohet pas humbjeve të fundit.

“Unë mendoj se ata shkuan në 10 ose 11 ndeshje të pamposhtur, ju e humbni një ndeshje dhe nuk do të thotë se veçse ke humbur gjithçka. Gjashtë ndeshje kanë mbetur në Premier Ligë, ende ka gjasa të mëdha për ta fituar Premier Ligën dhe ju uroj, sigurisht, gjitha të mirat sepse jam ende duke i përkrahur ata, ende kemi kontakte me stafin dhe lojtarin dhe ende po i shikoj ndeshjet”, tha Xhaka.

I pyetur nëse Arsenali do ta fitojë Premier Ligën së shpejti, Xhaka u përgjigj “Unë shpresoj, shpresoj sepse mendoj se skuadra dhe stafi dhe klubi i futbollit meritojnë të fitojnë trofe. Janë shumë afër këtë vit, sikurse ishin vitin e kaluar, por në futboll detajet e vogla bëjnë diferencën dhe shpresoj se ata mund ta bëjnë këtë vit”.

Back to top button