Xhavit Haliti i PDK-së: Me m’pasë pyet mu s’kishim marrë pjesë në zgjedhjet në veri hiç

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti tha se nuk ka qenë pro që të mbahen zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës.
Ani pse dy kryetarë Izmir Zeqir i Zubin Potokut dhe Ilir Peci i Zveçani vijnë nga PDK-ja.
Ai këtë të enjte në emisionin “Click” në RTV21 tha nuk i ka pëlqyer procesi zgjedhor, pasi siç tha ai nuk ka qenë demokratike me i pa policët me armë para kutive të votimeve.
“Gabim…gabim! Me m’pasë m’pasë pyet mu s’kishim marrë pjesë në zgjedhjet hiç”, tha Haliti kur u pyet pse nuk u tërhoq PDK-ja nga zgjedhjet e 23 prillit.
Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunalë nëntorin e kaluar. Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.
Që nga 26 maji, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur, pas hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut./21Media