Ylli anglez zgjedhet lojtari i ri më i mirë në Premier Ligë

Premier Liga angleze ka shpallur sot lojtarin e ri më të mirë të këtij sezoni, ku këtë epitet e ka marrë ylli anglez i Manchester Cityt, Phil Foden.
Foden ruan çmimin që fitoi sezonin e kaluar dhe bëhet lojtari i parë që e fiton atë në dy edicione radhazi.
21 vjeçari ka regjistruar nëntë gola dhe pesë asistime në 27 paraqitje për të ndihmuar Manchester Cityn të afrohet drejt titullit të Premier Ligës.
Në të vërtetë, mesatarja e tij për gol ose asistim çdo 146’ minuta këtë sezon është më e mira e cilitdo lojtari 21 vjeçar ose më të ri që ka luajtur të paktën 500’ minuta.
”Jam shumë krenar që kam fituar këtë çmim për të dytin sezon radhazi. Kam qenë shumë i lumtur me paraqitjet e mia këtë sezon dhe ka qenë e mrekullueshme të kontribuoj për këtë ekip në atë që shpresojmë të jetë një vit tjetër i suksesshëm për të gjithë ne”, tha Foden.
Ky i fundit tani do të përpiqet ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë kundër Aston Villas të dielën, kur Manchester City e di se një fitore do t’i garantonte atyre trofeun e gjashtë në Premier Ligë.

Back to top button