Ymeri: Në Kosovë vendos populli, në burg do të shkojnë vetëm kriminelët
Sipas Ymerit, kjo qeveri po e sjellë Kosovën në kolaps
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në tubimin mobilizues me struktura të Lëvizjes, ka thënë se kjo qeveri sikurse ato paraprake, nuk mund të jenë qeveri e mirë kur nuk mendojnë për qytetarët, shkruan rtv21.tv
Sipas tij, kjo qeveri do të mbahet në mend si pasardhës të qeverisë paraprake, që i shtrinë dorën Serbisë.
Ymeri gjatë drejtimit të tij para të pranishmëve, përmendi disa dështime siç thotë ai të qeverisë, si demarkacionin, formimin e ushtrisë, sigurimet shëndetësore, rezultatet e PISAS dhe vdekjen e aktivistit Astrit Dehari.
“Kjo qeveri dhe këto politika po e sjellin Kosovën në kolaps”, tha ai, duke shtuar se Republikës së Kosovës i duhet një qeverisje që pikë së pari e sheh veten në funksion të zhvillimit ekonomik.
Sipas Ymerit, ndryshimin në Kosovë nuk do ta bëjë Vetëvendosja, por ndryshimi do të bëhet kur bashkëpunohet me qytetarët.
“Në Kosovë vendos vetëm populli dhe në burg do të shkojnë vetëm kriminelët”, përfundoi Ymeri.
As në këtë tubim të Vetëvendosjes, nuk munguan brohoritjet ‘poshtë qeveria’./21Media