Ymeri: Lista Serbe e ka deformuar vullnetin e qytetarëve serb

Ymeri thotë se një mjek nga Shtërpca lëshoi mbi 150 diagnoza të falsifikuar, si kusht për të votuar nga shtëpia

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, me anë të një shkrimi në Facebook, votimin e qytetarëve serb duke thënë se kishte presion nga të gjitha anët për ta votuar vetëm Listën Serbe. I pari i Vetëvendosjes numëroi disa nga arsyet përse ai vlerëson se Lista Serbe e ka deformuar vullnetin e qytetarëve serb të vendit tonë.

“Në zgjedhjet e 11 qershorit, vullneti i votuesve serbë të Republikës së Kosovës është deformuar përmes presionit nga strukturat e Serbisë dhe Lista Serbe. Fillimisht kjo është bërë mbi partitë tjera lokale serbe, duke detyruar që të tërhiqen nga gara, siç ishte rasti me një parti, e cila ka tërhequr listën e kandidatëve nga zgjedhjet pas presionit nga Beogradi. Ndërkaq, Partia Liberale e drejtuar nga Sllobodan Petroviq nuk kishte bërë fare fushatë parazgjedhore, si pasojë e kërcënimit të hapur nga Lista Serbe mbi mbështetësit e tij se do të largohen nga puna”, ka shkruar Ymeri në statusin e tij.

Ymeri thotë se edhe në kanalet serbe janë ftuar qytetarët që masovikisht të votojnë Listën Serbem shkruan rtv21.tv

“Edhe gjatë heshtjes zgjedhore, madje edhe në ditën e zgjedhjeve, nëpër programet e ndryshme të kanaleve televizive të Serbisë që ndiqen masivisht nga serbët në Kosovë, janë ftuar hapur serbët që të votojnë për Listën Serbe. Më tej, përmes komisionerëve e zyrtarëve zgjedhorë në komunat veriore, praktikisht vetëm Lista Serbe ka pasur anëtarët e saj në komisione, duke bërë kështu që të ketë kontroll të plotë në vendvotime dhe të organizojë dhe zbatojë skemën e votimit vetëm për Listën Serbe, pa u vërejtur dhe pa u denoncuar”, ka shkruar tutje Ymeri.

Po ashtu Ymeri thotë se një mjek nga Shtërpca lëshoi mbi 150 diagnoza të falsifikuar, si kush për të votuar nga shtëpia.

“Kontrolli mbi votuesit është shtrirë nga sjellja kundërligjshëm e 4.000 aplikacioneve për t’u regjistruar si votues, ardhja e dhjetëra autobusëve nga Serbia për të votuar për Listën Serbe, presioni mbi votuesit e kontrolli i tyre deri në atë masë sa një mjek nga Shtërpca kishte lëshuar mbi 150 diagnoza të falsifikuara, si kusht për të votuar nga shtëpia, e tërë kjo si mënyrë e kontrollimit të votuesve. Lista Serbe jo vetëm që përfaqëson Beogradin në Kosovë dhe jo serbët e Kosovës, por ajo edhe e ka deformuar vullnetin e qytetarëve serbë të vendit tonë”, përfundon Ymeri./21Media

Back to top button