Ymeri për LDK dhe VV: Kukuvajkat janë futur nën sqetull

Pas miratimit të rezolutës për dialog

Deputeti dhe nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri sot ka deklaruar se po ta lexonin rezolutën dhe ligjin edhe Albin Kurti e Isa Mustafa do ta kuptonin qartë se të gjitha siguresat vendimmarrëse, procedurale dhe politike e juridike janë paraparë aty.

Ai ka sqaruar se në Delegacionin shtetëror do të bashkëdrejton opozita Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

“Brenda delegacionit vendimet do të merren me unanimitet dhe nëse/kur nuk arrihet unanimiteti pas dy tentimeve, atëherë me 2/3 e anëtarëve. Raporti mes Koalicionit qeveritar dhe Opozites/Shoqërisë civile në Delegacion është 7 me 5. Ky proces është në dorë të Opozitës. Po ta lexonin Rezolutën dhe Ligjin edhe Albin Kurti edhe Isa Mustafa do ta kuptonin qartë se të gjitha siguresat vendimmarrëse, procedurale dhe politike e juridike janë paraparë aty. Nuk ka marrëveshje pa njohje”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Sipas tij, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial, karakteri unitar i Republikës janë të pacenueshme e të patjetërsueshme.

“Në të vërtetë jemi ngritur në këmbë si Republikë, si Kosovë e si Kuvend. Të vetmit që janë shtrirë e futur nën sqetull janë ata që po vajtojnë, kukuvajkat. Të strukur në rehatinë e zyreve e shtëpive të tyre që vajtojnë për legjitimitetin e munguar, me një ligjërim që lëngon nga formalizmi absurd. Thua ti, atë që ata e quajnë legjitimitet garanton marrëveshje të dobishme për Kosovën. Ç’marrëveshje? Sikur ajo për Zajednicë? Pa kurrëfarë përfitimi për Kosovën”, ka thënë ai.

Mbrëmë është votuar rezoluta e propozuar nga PSD-së mbi procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë. Rezoluta ka kaluar me vota 59 pro dhe 2 abstenime nga 61 deputetë sa votuan./21Media

Back to top button