Ymeri: Serbia ka qenë dhe mbetet shkaktari i mos integrimit të serbëve

Për ndaljen e deputetit në Merdare reagon edhe Visar Ymeri

Për ndalimin dhe trysninë ndaj deputetit serb të Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq në pikën kufitare Merdare nga Shërbimi Informativ dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri.

Ymeri përmes një postimi në “Facebook” tha se ky rast dëshmon se Serbia ka qenë dhe mbetet problem kryesor dhe shkaktari i mos integrimit të serbëve në jetën politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës.

Deputeti i PD-së tha se në këtë pikë shihet qartë që interesat e Serbisë në Kosovë janë të kundërta, madje përjashtuese, me interesat e serbëve të Kosovës. Këta të fundit sipas tij edhe kanë filluar ta shohin, interesin e tyre qytetarë në integrim e jetesë të përbashkët.

“Rrëfimi i deputetit Sllobodan Petroviq për trysninë e ushtruar ndaj tij nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë është shqetësues. Ndaj kësaj duhet të reagojmë. Jo vetëm pse Serbia po vazhdon me kërcënimin, shantazhin dhe dhunën ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por edhe për shkak të qëllimit politik të kësaj lloj trysnie. Dhe ky nuk është rasti i vetëm: në të njëjtin drejtim janë edhe rastet e kërcënimeve të shumta ndaj pjesëtarëve të FSK-së të cilët janë detyruar ta lëshojnë vendin e punës”, u shpreh Ymeri.

Visar Ymeri u shpreh se Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Dhe sipas tij duhet të marrë përgjegjësi për mbrojtjen dhe mirëqenien e të gjithëve. “Secila trysni, secili kërcënim, secili akt dhune, ndaj cilitdo qytetarë të Republikës së Kosovës është shqetësues, dhe duhet të jetë i papranueshëm”, përfundoi ai.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq u ndalua të shtunën në pikën kufitare në Merdare teksa po shkonte në një vizitë familjare në Beograd, aty ai është marrë në pyetje për orë të tëra nga zyrtarët e Shërbimit Informativ dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA)./21Media

Back to top button