Zaev: Avancimi i gjuhës shqipe prioritet

Han sheh optimizëm tek Qeveria

Gjuha shqipe është pjesë e prioriteteve të qeverisë, dhe për këtë u debatua edhe sot mes komisarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, dhe kryeministrit, Zoran Zaev. Kryeministri Zaev tha gjuha është mjet komunikimi, dhe avancimi ligjor i përdorimit është i rëndësishëm.

“Në lidhje me pyetjen për avancimin e përdorimin e gjuhëve… Ajo është pjesë e prioriteteve, të cilat janë pjesë e agjendës për të cilën edhe sot biseduam. E dini që një nga pikët shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit është edhe avancimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në bazë të gjitha procedurave, kur gjithçka të jetë gati, unë jam përkrahës i idesë që kjo çështje të debatohet hapur dhe të sillet vendim. E dini që qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë! Për ne gjuha është mjet për tu marur veshë”, tha Zaev, shkruan TV21.TV

Zaev tha se sot është harmonizuar dokument pune i cili përfshin reformat urgjente që kërkohen nga Komisioni Evropian, kurse pret që në vjeshtë, Komisioni Evropian të jep raport pozitiv për përparimin e shtetit dhe të propozoj që të hiqet rekomandimi i kushtëzuar. Kryeministri tha se qeveria po punon në planin e reformave, i cili do të duhej të jetë gati deri më 1 korrik, kurse do të përfshijë reforma në gjyqësore, pavarësinë dhe profesionalizimin e institucioneve, media të pavarura dhe reforma tjera për të cilat partitë janë marrë vesh me Marrëveshjen e Përzhinës. Zaev i bëri thirrje edhe opozitës që të përfshihet në mënyrë aktive në procesin e reformave. Zëvendëskryeministri për integrime, Bujar Osmani, i bëri thirrje komisarit evropian, që mos të merret parasysh ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Ai siguroi se ambienti politik ka ndryshuar, dhe se qeveria është e koncentruar në të ardhmen. Osmani bëri thirrje që të shfrytëzohet momenti i kryesimit me Bashkimin Evropian nga vendet e rajonit, që deri në fund të vitit, rekomandimi të jetë i pakushtëzuar.
Nga ana tjetër, komisari Hahn, përshëndeti kontaktet e para të qeverisë me Athinën dhe Sofjen. Ai gjithashtu vlerëson lartë vullnetin e pozitës që të bashkëpunojë me opozitën për reformat, kurse theksoi se reformat nuk bëhet për të kënaqur ambiciet e ndonjë përfaqësuesi të lartë të Bashkimit Evropian, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Të gjithë aktorët, përfshirë këtu edhe opozitën, edhe gjyqësorin dhe të gjitha institucionet tjera relevante duhet të punojnë që të krijojnë një shoqëri moderne e cila do të funksionoj dhe shtet i cili do të punojë për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre”, tha Hahn.

Hahn tha se debati duhet të bëhet brenda institucioneve, kurse paralajmëroi se që nga nesër, ekipe të eksperteve do të arrijnë në vend, për të ndihmuar qeverinë në hartimin e planit për reformat. Përveç me përfaqësuesit e qeverisë, Hahn do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive parlamentare./21Media

Back to top button