Zaev dhe Ahmeti merren vesh për detajet e fundit

Qeveria e ardhshme pa Lëvizjen Besa

Këshilli Qendror i Lëvizjes Besa solli vendim që mos të merre pjesë në qeverinë e ardhshme që do të udhëhiqet nga LSDM. Kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami, tha se mandatari nuk ishte i gatshëm ti pranojë parimet e Lëvizjes Besa, por shtoi se do të jenë opozitë konstruktive dhe do të mbështesin çdo nismë që është në të mirë të qytetarëve.

“Ne nuk do të kishim dashur të jemi pjesë e një qeverie ku nuk ka marrëveshje. Ne do të kishim dashur që mos të na ndodhe në të ardhmen ashtu si na ka ndodhur në të kaluarën, që marrëveshjet për bashkëqeverisje pas shpinës së publikut, dhe nesër të dalë që kjo qeveri është marrë vesh që të ndryshojë stemën, të ndryshojë pjesë tjera pa e ditur publiku se një vendim i tillë është marrë mes partive politike”, tha Kasami.

Kasami tha se partia e tij ende nuk ka marrë vendim se a do ta votojnë formatin e ri qeverisës, por thotë se gjasat janë të vogla. E derisa Besa po dyshon në emrat e qeverisë së re, Ahmeti i bëri thirrje mandatarit, Zoran Zaev që të verifikojë pastërtinë e të gjithë kandidatëve për ministra, përfshirë këtu edhe ato të BDI-së.

“Sa i takon pastërtisë, apo biografisë së kandidatëve për ministra… Mandatari, kryeministri i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë, zoti Zoran Zaev, do të kërkojë nga të gjitha institucionet e vendit mendim dhe verifikim, për të gjithë kandidatët për ministra, përfshirë këtu edhe kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim”, tha Ahmeti.

Zaev apeloi që ti lejohet Prokurorisë Speciale që të hetojë se cilët politikanë janë të korruptuar, por tha se me Lëvizjen Besa nuk kanë ardhur në pikën ku duhej të bisedohet për emrat konkret.

“Nuk kemi biseduar për zgjidhje kadrovike, nuk kemi bërë krahasime se cili emër është më i mirë apo më i keq”, tha Zaev.

Përveç për emrat e ministrave, Ahmeti dhe Zaev janë marrë vesh që nesër të iniciohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kurse programi dhe propozimi për qeverinë e re, pritet që sonte të dorëzohen në kuvend./21Media

Back to top button