Zaev: Han porositi, Ballkani duhet të mësojë se çfarë është kompromisi

Zaev në Bruksel

Ballkani duhet ta mësojë leksionin se është e rëndësishme të gjenden kompromise, sepse rajoni ende shikon me perspektivën se njëri është fitimtar, ndërsa tjetri humbës. Kështu eurokomisari për zgjerim Johanes Han, pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, e komentoi kontestin greko-maqedonas dhe deklaratën e fundit të Nikos Kocijas i cili tha se Greqia nuk do të tërhiqet nga vijat e kuqe.

“Nuk dua të akuzoj askënd sepse secili e ka pikëpamjen e tij për këtë problem për të cilin mund të bisedohet nisur nga interesa individuale dhe nacionale. Por në fund, ne duhet të punojmë në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje dhe kjo është diçka që rajoni duhet ta mësojë, të gjendet kompromis dhe gjithashtu të bisedohet në interes të arritjes së kompromisit. Ende ka tendenca që gjërat të vështrohen nga perspektiva se njëri është fitues, ndërsa tjetri humbës”, tha Johannes Han, Eurokomisar për zgjerim.

Preskonferencën e përbashkët, Zaev dhe Han e shfrytëzuan për t’i prezantuar konkluzionet e takimit në të cilin nga të dy palët u përçuan porosi inkurajuese. Zaev para gazetarëve u shpreh se synon që ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, shkruan rtv21.tv

“Siç e dini, për herë të parë prej pavarësisë së Maqedonisë, një numër të madh të komisioneve parlamentare i lamë të drejtohen nga opozita, sepse nëse kemi sukses në këtë rrugë, ai do të jetë i përbashkët, edhe i pushtetit, edhe i opozitës, edhe i sektorit civil, por edhe i atyre që u bëjmë thirrje të kyçen dhe të kontribuojnë në marrjen sa më parë të datës për fillim të negociatave dhe gjithsesi për anëtarësim të plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian”, tha Zoran Zaev, Kryeministër i RM.

Kryetari i Qeverisë i shoqëruar nga ministrja e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani pasdite u takua edhe me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federika Mogerini. Ajo është shprehur se gjatë zbatimit të reformave, Maqedonia do të gjejë aleat të fortë te Bashkimi Evropian. Sipas saj, nëse reformat realizohen, atëherë edhe Bashkimi Evropian është i gatshëm të përgjigjet. Në preskonferencë, Zaev doli edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Shtolltenbeg. Në lidhje me kontestin me Greqinë, ai tha se duhet të gjendet një zgjidhje e përbashkët që do të pranohej nga të dyja palët dhe se nuk është punë e tyre që të imponojnë zgjidhje.

“NATO-ja e kupton rëndësinë që paraqet ky rajon, gjegjësisht Ballkani Perëndimor. NATO-ja ka ndihmuar në dhënien fund të dy luftërave etnike në Ballkanin Perëndimor dhe ne këtu kemi një histori mjaft të gjatë. Ne në Shkup kemi aleatë”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Delegacioni i lartë i udhëhequr nga kryeministri, në Bruksel u takua edhe me kryetarin e Këshillit Evropian Donalld Tusk. Në takim, Zaev ka theksuar se qeveria e tij është e gatshme të udhëheq një proces reformues të fortë dhe cilësor me qëllim marrjen e rekomandimit për negociata me BE-në deri në fund të këtij viti. Në anën tjetër, Tusk ka shprehur pritshmëritë e tij se Maqedonia do ta përmirësojë imazhin e saj përmes dialogut ndëretnik dhe ndërpartiak si dhe përmes marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore./21Media

Back to top button