Zaev: Ministri jo të më pyes mua, por të bëjë punën

Reformat e paralajmëruara

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në kuadër të reformave në shëndetësi paralajmëroi se nuk do të ketë nga dy drejtorë nëpër klinika, një praktikë që funksion nga viti 2006 si pjesë e reformave të Qeverisë së VMRO-DPMNE.  Taravari thotë se do të largojë drejtorët ekonomik, ndërsa do të jenë vetëm drejtorët që janë pjesë e stafit mjekësor, shkruan tv21.tv

“Nuk ka nevojë për dy drejtorë, sepse punën e tillë e kryejnë administratorët. Nuk kemi para për luks. Paratë që deri tani janë dhënë për këta drejtor do të jenë shpërblime për 3 – 4 mjekë më të mirë në çdo klinikë”, u shpreh Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.

Nga BDI theksojnë se duhet të ketë marrëveshje paraprake mes partnerëve të koalicionit që të ndryshohet ligji për realizimin e kësaj mase si pjesë e reformave. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thotë se gjatë kohës që ka qenë ministër i shëndetësisë ka hequr drejtorët ekonomik nga gjitha spitalet me më pak se 1000 të punësuar, por për një vendim të ri për heqjen e tyre të plotë, ai thekson se duhet një analizë .

“Nëse vlerësohet se duhet te hiqen edhe këto pak pozicione që kanë mbetur duhet marrëveshje mes partive të koalicionit, pasi që duhet ndryshim i ligjit.  Mendoj se njëherë duhet bërë një SWOT analizë, e pastaj të vlerësohet”, tha Bujar Osamni, BDI.

Për atë se ku do të përfundojnë drejtorët ekonomik të spitalit shtetëror Nënë Tereza, ende nuk dihet.

“Pas paralajmërimit të ministrit të sapo emëruar Arben Taravari se drejtorët ekonomik do të largohen. Kemi bërë një llogaritje se në spitalin shtetëror Nënë Tereza ka gjithsej 21 klinika dhe çdonjëra prej tyre ka drejtor ekonomist. Paga mesatare e tyre është rreth 42 mijë denarë nëse llogarisim për një vit, ministria vetëm për këta drejtor do të kursente afër 200 mijë euro”.

Kryeministri Zoran Zaev në ekspozenë e tij para votimit në Kuvend tha se ministrat janë ata që kanë përgjegjësi dhe duhet të propozojnë reforma.

“Ministri nuk është i emëruar që ta pyes kryeministrin por të propozojë zgjidhje. Unë në këtë mënyrë pres që të punojmë”, tha Zoran Zaev, kryeministër i R.M.

Zaev tha se çdokush nga kabineti i tij duhet të punojë me përgjegjësi të madhe dhe të jap llogari për atë çfarë do të bëjë./21Media

Back to top button