Zbulimet arkeologjike të lëna afër tualetit?!
Mbi një javë pasi TV21 në Shkup nisi të hulumtojë dhe kërkojë përgjigje për fatin e lokalitetit arkeologjik rreth lumit Vardar, sot dolën sërish në terren për të parë se çfarë ndodhi me gjetjet arkeologjike.
Në parkun arkeologjik “Scupi” e gjetëm këtë pamje. Pllaka epitafesh të grumbulluara sikur të jenë gurë të thjeshtë. Edhe më e rëndë ishte pamja se ishin lënë afër një objekti që duket të jetë tualet. Pirgje gurësh një mbi një shiheshin gjithandej, madje disa edhe të thyer.
“Varrezat dardane, atje janë nxjerrë, disa metra më larg, dhe të gjitha që janë nxjerrë prej varrezave janë lënë në këtë pikë”, raporton gazetari nga tereni.
Kjo pllakë që me sa duket në krye ka Diellin, është lënë përmbys dhe mbushur me ujë, si pasojë e të reshurave të shiut.
TV21 kërkoi qëndrim me shkrim si nga Drejtori për mbrojtje të trashëgimisë kulturore Arjan Asllanaj, po ashtu edhe nga Vera Atanasovska nga Qendra për Konservim, por asnjëri nuk ju përgjigj pyetjeve tona se nga ku janë sjellë këto pllaka këtu dhe nëse janë lënë kështu sepse i shohin si të panevojshme apo nga mungesa e trajtimit adekuat./21Media