Zëdhënësja e LDK-së thotë se pushteti po sulmon gazetarët
Zëdhënësja e LDK-së Sibel Halimi ka thënë se mediat e gazetarët në Kosovë çdo ditë përballen me mjedis armiqësor, sulme e kërcënime.
Sipas saj këto sulme po vijnë nga pushteti.
“Organizatat ndërkombëtare si dhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth lirisë së shtypit në Kosovë, duke potencuar se gazetarët po përballen me kërcënime e frikësim gjatë ushtrimit të punës së tyre. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, të gjithë së bashku duhet të angazhohemi fuqishëm në respektimin dhe vlerësimin e kësaj lirie, si një nga shtyllat kryesore për një demokraci të mirëfilltë.Ditët si kjo t`na shërbejnë si çast reflektimi për krijimin e sigurisë së gazetarëve e ngritjen e vetëdijes së të gjithëve karshi rolit të rëndësishëm që kanë gazetarët në vendin tonë.”, ka thënë Halimi.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se ndonëse Qeveria në përgjithësi e respektoi të drejtën e shprehjes, raportet e besueshme thonë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias.
Ndërsa në Ditën e Lirisë së Shtypit, “Reporterët pa Kufij” kanë publikuar Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror . Kosova këtë vit radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021./21Media