Zejnullahu-Raçi: Buxheti është sfidë për momentin në ShSKUK
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi theksoi se nga gushti kur ka marrë këtë pozitë ka probleme të shumta që ka identifikuar dhe ia ka prezantuar bordit.
Ajo gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi ka deklaruar se asgjë nuk është jashtë kontrollit dhe janë në koordinim me Ministrinë e Financave.
Ajo është pyetur nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj se “a e gjeti mirë apo keq ShSKUK-në”.
“Unë kam interes që problemet që janë akumuluar me kohën të zgjidhen në afat të shkurtër. E gjeta ashtu siç është…buxheti është sfidë për momentin dhe ka rezultuar nganjëherë me vendime që duhet të merren aty për aty. Nuk është asgjë jashtë kontrollit dhe jemi në koordinim me Ministrinë e Financave”, tha ajo.
Ajo ka shtuar se furnizimi nuk ka qenë keq për QKUK-në.
“Punët e mirë intensive ka qenë Onkologjia. E kam bërë një analizë dyjavore duke konsultuar edhe mjekë nga jashtë. Këtu ka ndodhur një mos planifikim i mirë nga ish menaxherët. Është planifikuar një numër i barnave dhe të njëjtit kanë filluar jashtë protokollit…kam kërkuar që të bëhen kartelat e pacientëve që t’ ju ipet terapia, se për mua ka qenë e çuditshme që nuk kanë kartela”, ka shtuar ajo.
Ajo ka shtuar se ka disa departamente që ka lista më të gjata të pritjeve.
“Sfidë ka qenë rënia e numrit të anesteziologëve. Po pres një plan prej drejtorit, jo çdo klinikë me pas anesteziolog. Ka edhe opsione tjera që jemi duke diskutuar”, ka shtuar ajo.
Para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi po raporton edhe kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Aida Rexhepi.