Zeka skeptik për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon konsensus gjithëpërfshirës politik në vend, jo vetëm për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe për aprovimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka në një intervistë për Kp nuk e përjashtoi mundësinë që vendi të dështojë për nxjerrjen e pakos ekonomike nëse vazhdon kriza politike.

Ai kërkoi nga Ministria e Financave dhe Transfereve që të merren parasysh rekomandimet e OEAK-ut për pakon për rimëkëmbjen e ekonomike. Zeka tha se OEAK ka qenë pjesë e Grupit punues për dizajnimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike dhe propozimi i tyre ka qenë për një qasje shume dimensionale. Sipas propozimit të tyre, përveç mbështetjes financiare për dhënie të kredive bizneseve ose përmes subvencionimit të kredive, vendi të nisë me dizajnimin e akteve ligjore të cilat do të mundësonin pushimet tatimore për bizneset, lehtësira fiskale në përgjithësi, në të njëjtën kohë edhe grante dhe asistenca financiare për ndërmarrësit për gra, për ndërmarrësit që në përgjithësi kanë vështirësi për qasje në financa.

Ai tha se për t’u bërë një pako për ekonomi, duhet të ketë unitet në skenën politike, në të kundërtën ka rrezik të dështojë pakoja e rimëkëmbjes.

“Besoj që këtë moment Kosova ka nevojë për një konsensus gjithëpërfshirës politik, jo vetëm për aprovimin e huave të tilla nga institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe për aprovimin e asaj që do të ishte dokumenti bazik e i detajuar për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, ku të gjitha partitë politike, të gjitha grupet parlamentare në konsultim me ekspertët e pavarur, me odat ekonomike me akademinë dhe me të gjithë hisedarët e këtij vendi t’i jepnin një aprovim ose të mund të kontribuonin në atë dokument, i cili pastaj pavarësisht ndërrimit të qeverive ose jo dhe pavarësisht rrethanave politike, të cilat do të zhvilloheshin, ndërkohë do ta shfrytëzonin atë dokument si udhërrëfyes në të cilin do të bazoheshin të gjitha vendimet e ardhshme”, tha Zeka.

Megjithatë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane shprehu shqetësimin për mos zbatimin e masave të pakos emergjente për biznese. Sipas tij, është një numër i madh i ankesave nga bizneseve për mos implementim të kësaj pakoje sa i përket masës për qiratë.

Sa i përket formës së financimit të pakos së dytë, Zeka deklaroi se ideja e guvernatorit për rritjen e Fondit të garantimit të kredive me një shumë prej 300 milionë euro është në përputhje me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, e që duhet të ndryshuar edhe korniza ligjore.

Mirëpo, kreu i OEAK-ut pohoi se gjatë diskutimeve me grupin punues për këtë pako nuk është diskutuar në detaje për sa i përket këtyre burimeve.

“Për sa i përket burimeve, ka qenë edhe një kërkesë e jona si Odë Amerikane dhe anëtarëve të tjerë të Grupit Punues që të identifikohen që tash burimet e sigurimit të mjeteve të cilat qeveria do t’i vinte në dispozicion për zbatimin e Planit ose pakos së rimëkëmbjes. Nuk është që është diskutuar në detaje për sa i përket këtyre burimeve, por ajo çfarë ne kemi propozuar vazhdimisht dhe jo vetëm tash kur diskutohet pakoja e rimëkëmbjes, por edhe më herët, është që burimet e financimit natyrisht të jenë mjetet e huazuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, edhe duke diture dhe një fakt tjetër që na shkon për shtati gjatë kësaj periudhe, kemi një përqindje të ulët të borxhit publik karshi bruto produktit vendor që na lejon edhe rritjen e niveleve të huamarrjes dhe vënien në dispozicion të këtyre mjeteve për sektorin privat dhe për rimëkëmbjen tonë ekonomike në përgjithësi”, theksoi ai.

Po ashtu, Zeka kërkoi nga BQK-ja që në koordinim me bankat komerciale, edhe pas muajt maj, të aplikojnë sërish vendime për shtyrjen e kësteve për kredi, gjithnjë duke u bazuar në kërkesat e bizneseve të prekura si pasojë e masave kufizuese pas pandemisë Covid-19 dhe duke analizuar performancën financiare të bizneseve.

Back to top button