Zelensky bën thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje të enjten për më shumë masa ndëshkuese kundër Rusisë nga Bashkimi Evropian dhe tha se kishte diskutuar një paketë të 10-të të sanksioneve të BE-së me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Dhe tani ritmi i sanksioneve është ngadalësuar disi në Evropë, dhe shteti terrorist përkundrazi po përshtatet me sanksionet dhe ne duhet të kapim hapin. Ne duhet ta korrigjojmë këtë”, tha Zelensky, duke folur së bashku me Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e cila ndodhet në Kiev për një vizitë zyrtare së bashku me shefin e politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell dhe zyrtarë të tjerë.
“Kjo është një detyrë e përbashkët evropiane, për të reduktuar aftësinë e Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve.
Dhe sa më shpejt të arrihet kjo detyrë, aq më afër do të jemi me humbjen e Federatës Ruse”, shtoi ai.
“Nuk mjafton të kesh sukses në fushën e betejës. Ne kemi nevojë për besim në një Evropë të lirë, në një Evropë paqësore, në një Evropë të bashkuar”, tha ai.
“Ne po bëjmë [Presidentin rus Vladimir] Putin të paguajë për luftën e tij mizore”, tha von der Leyen, duke folur pas Zelenskit.
“Para se Rusia të fillonte këtë luftë, ne ishim shumë të zëshëm për kostot e rënda ekonomike që [do] t’i impononim Rusisë nëse ajo pushton Ukrainën. Dhe sot Rusia po paguan një çmim të rëndë, pasi sanksionet tona po gërryejnë ekonominë e saj, duke e kthyer atë pas një brezi. Kufiri i çmimit të naftës së papërpunuar tashmë i kushton Rusisë rreth 160 milionë euro (176 milionë dollarë) në ditë dhe ne do të vazhdojmë të rrisim presionin më tej”, tha ajo.
“Evropa ka qenë në krah të Ukrainës që nga dita e parë, sepse ne e dimë se e ardhmja e kontinentit tonë po shkruhet këtu. Ne e dimë që ju po luftoni për më shumë se veten tuaj. Ajo që është në rrezik është liria. Kjo është një luftë e demokracive kundër regjimeve autoritare”, shtoi presidentja e Komisionit të BE-së.
Presidenti rus Vladimir Putin “përpiqet të mohojë ekzistencën e Ukrainës, por ajo që ai rrezikon në vend të kësaj është e ardhmja e Rusisë”, paralajmëroi von der Leyen.
Në dhjetor, Bashkimi Evropian zbatoi paketën e nëntë të sanksioneve kundër Rusisë që shtoi rreth 200 individë dhe subjekte në listën e sanksioneve. Ai përfshinte forca të armatosura, anëtarë të parlamentit rus dhe kompani industriale të mbrojtjes./21Media

Back to top button