“Adnan Kafazi” del në ekranin e madh

Filmi kosovar i zhanrit aksion/komedi/dramë “Adnan Kafazi”, ka mbërritur në kinema. Premiera e tij, për publikun e kryeqytetit, shfaqet sonte nga ora 19:00.
Filmat kosovarë “Zonjusha” dhe “Diamanti”, vërtetë që arritën të tërheqin audiencën vendore, por tashmë, pjesa e tretë e këtij rrëfimi, e treguar përmes filmit të ri “Adnan Kafazi” ka gjasa të larta që të vazhdojë trendin e shikueshmërisë së lartë në kinematë vendore.
Disa gangsterë po kalojnë kohën me të mire të jetës, pasi kanë shitur një diamant 7 milionë dollarësh. Brenda dy viteve të mungesës së tyre, në vendlindje, shfaqet një bos i ri i krimit Adnan Kafazi, i cili ka marrë udhëheqjen e nëntokës. Banda vendos të rikthehet në Kosovë mirëpo ata e kuptojnë se Adnani është shumë më i fortë se ata dhe mënyra e vjetër e luftimit të gangsterëve nuk do të funksionojë, dhe në këtë mënyre rrezikojnë jetën e tyre.
Filmi aksion/komedi/dramë, i regjisorit Genc Berisha, paraqet përpjekjet e disa gansterëve për të fituar territor nga bosi i ri i krimit që ka pushtuar qytetin e tyre.
Në film, paraqite me role disa nga aktorët më të njohur kosovarë, si Armond Morina, Besart Sllamniku, Armend Baloku, Ylber Bardhi, Fatmir Spahiu, Shkumbin Istrefi, Edona Reshitaj, Dukagjin Podrimaj, Muhamed Arifi dhe shumë të tjerë duke përfshirë këngëtaren Dafina Zeqiri.
Në shfaqjen e këtij filmi për media, producenti Besart Sllamniku, vuri në pah vështirësitë, si çështjet e mungesës së buxhetit, që ndikojnë në realizimin e filmave të kësaj natyre. Përderisa aktori Armond Morina, duke u ndërlidhur, theksoi se filmat e këtij zhanri janë të mirë si për artistët ashtu për shikuesit.
Regjisori i filmit “Adnan Kafazi”, Genc Berisha u pyet për aktorët dhe performancat e tyre dhe pritshmëritë e tij si regjisor. Ai lavdëroi aktorët dhe gjithë ekipin.
Filmi “Adnan Kafazi”, ka premierën për Prishtinën, sonte në orën 19:00. Produksioni ka njoftuar se premiera e këtij filmi për Prizrenin do të jetë më 3 shkurt. Në kinemanë e Gjakovës shfaqet më 6 shkurt. Më 23 shkurt “Adnan Kafazi” shfaqet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 2 mars në kryeqytetin e Maqedonisë së veriut. Ndërkohë, po bëhen përpjekjet që filmi të shfaqet edhe në kinematë e tregjeve të mëdha, si Gjermani, Zvicër, Britani të Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button