Zelensky e akuzon Rusinë si barbare pas sulmit në Odesa

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për “barbarizëm” pas një sulmi me raketa në portin e Odesës.
Një marrëveshje historike për të rifilluar eksportet e drithërave të Ukrainës – e nënshkruar disa orë përpara sulmit, tani vihet në dyshim.
Moska nuk ka komentuar mbi sulmin dhe Kievi ka thënë se përgatitjet janë ende duke u zhvilluar për të rifilluar eksportet e grurit, pavarësisht shkeljes së dukshme, transmeton rtv21.tv.
Por të shtunën, presidenti Zelensky tha se kjo ilustron se si Moskës nuk mund t’i besohet që t’i përmbahet marrëveshjes.
Ai u zotua të bëjë gjithçka që është e mundur për të blerë sisteme të mbrojtjes ajrore të aftë për të rrëzuar raketa të tilla në të ardhmen.
Ukraina është një eksportues kryesor i drithit, por për shkak të luftës, rreth 20 milionë ton drithë janë bllokuar në portet e saj, të paaftë për t’u larguar për shkak të forcave ruse. Kjo ka çuar në mungesa ushqimore dhe rritje të çmimeve në të gjithë Afrikën, e cila zakonisht varet nga Ukraina dhe Rusia për grurin.
Sipas marrëveshjes së së premtes, Rusia ra dakord të mos synonte portet ndërsa dërgesat e grurit ishin në tranzit.
Por vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy raketa Kalibr goditën portin e Odesës, sipas qendrës së komandës jugore të ushtrisë ukrainase. Dy raketa të tjera u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Sulmi është dënuar gjerësisht. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi Rusinë për përkeqësim të një krize globale ushqimore dhe tha se sulmi hodhi “dyshim serioz” mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj paktit.
Kremlini deri më tani nuk ka bërë asnjë koment publik mbi sulmin, megjithatë qeveria turke, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen, tha se zyrtarët rusë e kishin mohuar përgjegjësinë./21Media

Back to top button