​Zelensky informon liderët botërorë për bisedimet e paqes në Stamboll

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diskutoi sot me homologët e tij amerikan dhe francez Donald Trump dhe Emmanuel Macron, si dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrat e Britanisë së Madhe dhe Polonisë, Keir Starmer dhe Donald Tusk, për bisedimet e paqes në Stamboll.

Në një deklaratë në platformën X, Zelensky tha se ata diskutuan formatin dhe pritjet e bisedimeve të paqes në Stamboll, të cilat synojnë arritjen e një armëpushimi dhe krijimin e kushteve për një zgjidhje afatgjatë.

“Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për paqen e vërtetë,” tha ai, duke shtuar se uniteti global mbetet thelbësor.

Zelensky paralajmëroi se nëse Rusia refuzon një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar, duhet të pasojnë sanksione të mëtejshme ndërkombëtare.

“Presioni mbi Rusinë duhet të mbahet derisa të jetë gati për t’i dhënë fund luftës,” porositi Zelensky.

Thirrja e përbashkët erdhi pasi negociatat e sotme Ukrainë-Rusi në Stamboll përfunduan pa ndonjë rezultat. Këto ishin negociatat e para në tri vjetët e fundit ndërmjet dy palëve.

Back to top button