Më pak miliarderë në Britaninë e Madhe

Numri i miliarderëve në Britaninë e Madhe ka rënë, ndërsa pasuria personale e Mbretit Charles është rritur duke u barazuar me atë të ish-kryeministrit Rishi Sunak dhe bashkëshortes së tij Akshata Murty, sipas listës më të fundit të të pasurve nga Sunday Times.
BBC raporton se lista vjetore e 350 njerëzve më të pasur në Britaninë e Madhe zbuloi rënien më të madhe të numrit të miliarderëve.
Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, pasuria e Mbretit është rritur për tridhjetë milionë funte duke arritur në gjashtëqind e dyzet milionë funte dhe duke e ngjitur atë njëzet vende më lart në renditje, në vendin e dyqind e tridhjetë e tetë së bashku me Sunak dhe Murty.
Në krye të listës, për të katërtin vit radhazi, qëndron familja Hinduja, e cila qëndron pas korporatës indiane Hinduja Group, e cila, pavarësisht një rënieje të pasurisë, vlerësohet ende me më shumë se tridhjetë e pesë miliardë funte.
Numri i miliarderëve ra në 156 këtë vit nga 165 që ishin në vitin 2024, duke përfaqësuar rënien më të madhe në historinë 37-vjeçare të listës së Sunday Times “Lista e Pasurisë”.
“Numri ynë i miliarderëve është ulur dhe pasuria e kombinuar e atyre që përfshihen në kërkimin tonë po bie”, tha Robert Watts, hartuesi i listës, për agjencinë PA Media.
Pas familjes Hinduja, në vendin e dytë renditen vëllezërit Reuben me një pasuri prej gati 27 miliardë funte, ndjekur nga Sir Leonard Blavatnik me afro 26 miliardë funte.
Rënien më të madhe e pësoi bashkëpronari i Manchester United, Sir Jim Ratcliffe, me një humbje prej 6.473 miliardë funte, duke rënë nga vendi i katërt në të shtatin.
Ndër figurat e njohura në listë janë Sir Lewis Hamilton, David dhe Victoria Beckham, dhe Sir Elton John.
Dua Lipa, 29-vjeçe, ishte më e reja në listën e të pasurve nën 40-vjeç, me një pasuri prej 115 milionë funte, ndërsa Harry Styles kishte 225 milionë funte dhe Ed Sheeran me 370 milionë funte.
Pasuria e Mbretit Charles është rritur ndjeshëm, duke arritur në 640 milionë funte – 270 milionë më shumë se ajo e nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth e Dytë. Rritja vjen kryesisht nga portofoli i trashëguar dhe nga Dukati i Lancaster, që gjeneron rreth 20 milionë funte në vit.
Robert Watts tha se shumë të pasur kritikojnë politikën fiskale të qeverisë dhe heqjen e statusit “non-dom” nga Thesari i Rachel Reeves. Ky ndryshim, që prek të ardhurat e huaja, pritet të sjellë 12.7 miliardë funte për pesë vjetët e ardhshëm.
Ndërkohë, tarifat globale të shpallura nga presidenti amerikan Donald Trump sollën tronditje në tregjet financiare. Fondi Monetar Ndërkombëtare paralajmëroi për një rënie të besimit mes vendeve dhe ndikim negativ në ekonominë globale.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?