Zemaj rekomandon masa të reja

 

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj njoftoi se sot është mbajtur mbledhja e radhës e Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19, ku u analizua gjendja aktuale me COVID-19. Zemaj tha se disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria kanë filluar t’i japin efektet e para, dhe si rezultat i kësaj numri i të prekurve po bie.

I pari i shëndetësisë thotë se kapacitetet spitalore janë shtuar dhe është rritur edhe numri i profesionistëve shëndetësor për të ndihmuar kolegët e tyre, të cilët disa nga ta janë prekur nga infeksioni. Sipas tij, MSH-ja është në proces të licencimit të laboratoreve të tjera për kryerjen e testeve për COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë është në proces të licencimit të institucioneve private shëndetësore për kryerjen e testeve për Covid-19 dhe prej 57 institucioneve të licencuara deri më tani, shumica prej tyre kanë filluar me testime serologjike, derisa 2 institucione kanë marrë të drejtën edhe për testime molekulare apo PCR siç njihen ndryshe. Ky proces, do ta ul presionin mbi IKSHPK-në, që kryen testime molekulare çdo ditë. Ky segment do të fuqizohet edhe më tej me fillimin e testimeve molekulare dhe serologjike edhe në Qendrat rajonale të Shëndetësisë Publike, për çka Ministria është në përfundim të procedurave, derisa në aspektin klinik, me qëllim të lehtësimit të punës, është hartuar e miratuar edhe Udhërrëfyesi klinik për menaxhimin e Covid-19.”, shkroi ai mes tjerash në Facebook.

Ministri Zemaj thotë se një nga faktet që do të lehtësojë punën ndaj COVID-19 është miratimi i Ligjit për parandalimin e COVID-19 në Kosovë. Ai rekomandoi edhe disa masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Ndër të tjera masat e vendosura të jenë të krahasueshme me vendet tjera, qendrat tregtare ushqimore dhe jo ushqimore të obligohen qe të kenë një punonjës i cili nuk lejon hyrjen brenda të konsumatorëve pa maska, në qendrat tregtare ushqimore mos të lejohet hyrja e konsumatorëve pa karrocë të blerjes ( sepse ajo vet e krijon distancën mes personave sa janë në market), lokalet e gastronomisë të jenë të obliguara qe një numër të tavolinave t’i kufizojnë për mos lejim për shërbim, etj.”, shkroi Zemaj në Facebook./21Media

Në mbledhjen e radhës së Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19, së bashku me anëtarët, përfaqësuesit…

Posted by Armend Zemaj on Monday, August 17, 2020

Back to top button