Zenun Elezaj dhe Bali Muharremaj, kandidatët e AAK-së për Klinë e Suharekë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në mbledhjet e këshillave të përgjithshëm të degëve të AAK-së në Klinë dhe Suharekë, janë propozuar për mandate të reja dy kryetarët aktual, Zenun Elezaj në Klinë dhe Bali Muharremaj në Suharekë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e vlerësoi qeverisjen e Aleancës në këto dy komuna si model të mirëfilltë të zhvillimit.
“Për kohën që iu dha besimi Aleancës për të qeverisur Klinën, në krye me prof. Zenun Elezaj, kësaj komune i ofruam një qeverisje për t’u marrë shembull, që shpeshherë është përmendur si model edhe nga qytetet e tjera. Kryetari, prof. Zenun Elezaj, me ekipin e tij të përkushtuar, i ka dhënë shtytje të jashtëzakonshme zhvillimit dhe përparimit të komunës,” ka shkruar Haradinaj.
Ai përmendi edhe suksesin e qeverisjes në Suharekë.
“E njëjta frymë qeverisëse është ndërtuar edhe në Suharekë, ku nën udhëheqjen e Bali Muharremajt, qytetarët kanë përjetuar një transformim të dukshëm në shërbime, infrastrukturë dhe zhvillim të përgjithshëm. Sot, Këshilli i Përgjithshëm i Degës së Aleancës në Suharekë ka propozuar Kryetarin Muharremaj për një mandat të ri katërvjeçar, si vazhdimësi e një lidershipi që ka dëshmuar përgjegjësi dhe rezultate konkrete.”, shkroi Haradinaj.
Ndër të tjera kryetarit i AAK-së tha se komunat që drejtohen nga Aleanca kanë dëshmuar standard të lartë të qeverisjes së mirë, të ndershme dhe të përgjegjshme.
“Kjo traditë do të vazhdojë jo vetëm aty ku tashmë qeverisim, por edhe në komunat tjera, ku qeverisja jonë po shihet gjithnjë e më shumë si zgjedhja e duhur për zhvillim,” tha Haradinaj. /21Media