Sqarohet Izmir Zeqiri: Vendimet e mia i koordinoj me kryetarin Memli Krasniqi

(Lajm i përditësuar)
Sqarohet Izmir Zeqiri: Vendimet e mia i koordinoj me kryetarin Memli Krasniqi
Pas raportimeve se kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri citohet të ketë thënë se e nuk mund të jap dorëheqjen vetëm pse këtë mund t’ia kërkojë kryetari i partisë së tij, në këtë rast, Memli Krasniqi.
E lidhur me këto deklarata Zeqiri reagoi me anë të një postimi në Facebook. Ai u arsyetua duke thënë se është keqinterpretuar.
“qëndrime të mija, me siguri pa dashje, janë nxjerrë nga konteksti dhe janë keqinterpretuar. Në atë formë, ato deklarata nuk pasqyrojnë saktë qëndrimin tim si Kryetar i Zubin Potokut.Ajo që unë realisht mendoj dhe kam shprehur është vetëm kjo: Unë jam i gatshëm të vazhdojë punën time si Kryetar i Zubin Potokut, në shërbim të qytetarëve dhe komunës, pasi që për këtë kam marrë edhe besimin. E respektoj mandatin, obligimet dhe përgjegjësitë të cilat i kam, por interesi i shtetit të Kosovës është përmbi të gjitha. “, shkroi Zeqiri në Faceook, përcjell portali rtv21.tv
Më tej siguroi se do të vazhdojë të ketë koordinim me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi.
“Prandaj, qëndrimet e PDK-së, të Kryetarit Memli Krasniqi si dhe vendimet e Këshillit Drejtues më 3 korrik, ku isha pjesëmarrës edhe unë, janë udhërrëfyes dhe bazament i qëndrimeve mbi të cilat do të veproj edhe në të ardhmen. Nuk kam asnjë dallim nga ai vizion dhe nga ato qëndrime. Ashtu siç i kam koordinuar veprimet dhe jam konsultuar me Kryetarin e Partisë, Memli Krasniqi, në çdo hap, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, ashtu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. “, vijon reagimi i kryetarit të Zubin Potokut.
Ai shtoi se dorëheqja e tij tani për tani nuk do ta zgjidhte situatën, e duke u thirrur në PDK tha se janë në favor të gjetjes së zgjidhjes dhe rikthimit të normalitetit në komunën tonë.
“Gjithashtu, veprimet tona do të jenë të konsultuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, sepse përshkallëzimi në pjesën veriore të Kosovës është në kundërshtim me interesin e shtetit tonë, prandaj, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për de-përshkallëzim të gjendjes, duke përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këto komuna, në momentin kur një gjë e tillë është e mundshme. Për sa i përket dorëheqjes time, sot për sot, ajo nuk ka kuptim se nuk do t’a zgjidhte situatën. Megjithatë, unë dhe PDK jemi në favor të gjetjes së zgjidhjes dhe rikthimit të normalitetit në komunën tonë. Për mua si Kryetar e, para së gjithash, si qytetar i këtij shteti, interesi i Kosovës është gjithmonë prioritet para çfarëdo interesi tjetër.”, përfundoi Zeiqir.
Zeqiri i PDK-së mbështet Kurtin: S’jap dorëheqje vetëm pse mund ta kërkojë kryetari i partisë
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, veprimet e kryeministrit të vendit, Albin Kurti në lidhje me situatën në veri i sheh të drejta dhe ligjore, andaj e mbështet atë.
Zeqiri, gjatë një interviste për KosovaPress, bën të ditur se është i orientuar ta çojë mandatin deri në fund, ndërsa nuk sheh ndonjë arsye për dorëheqje nga kjo pozitë, qoftë edhe nëse një gjë të tillë ia kërkon kryetari i partisë së tij.
Sipas tij, parësor për të është interesi shtetëror dhe nëse kërkohet të shkohet në zgjedhje të reja, siç kërkojnë ndërkombëtarët, duhet të gjenden format ligjore dhe jo t’ju kërkohet dorëheqja.
“Para interesave të vogla ose personale për mua para të gjithave është interesi shtetëror dhe i të gjithë qytetarëve. Sa i përket zgjedhjeve, të cilat po spekulohet tani, duhet të gjenden format ligjore sepse nuk shoh ndonjë arsye që vetëm të japim dorëheqje… Ne jemi të orientuar të çojmë mandatin deri në fund… Veprimet e kryeministrit, por edhe tonat, unë i shoh të drejta dhe ligjore sepse nuk janë dëshira tona, por janë obligime ligjore… Në këtë drejtim e mbështes (kryeministrin), sepse unë punoj për shtetin, për ligjin”, deklaron Zeqiri.
Zeqiri thotë se kur bëhet fjalë për të mirën e shtetit dhe qytetarëve në përgjithësi, ai e respekton ligjin dhe merr referenca edhe nga qeveria, pavarësisht se është anëtar i PDK-së.
Ai thotë se nuk mund të jap dorëheqjen vetëm pse këtë mund t’ia kërkojë kryetari i partisë së tij, në këtë rast, Memli Krasniqi.
“Edhe unë kam përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore, kështu që nuk do të thotë se mundet me më thënë po e zëmë kryetari i partisë time ose dikush tjetër, mua më duhet të zbatoj ligjin, unë e shoh veten ku jam në ligj, a është e ligjshme edhe dorëheqja ime… Unë jam një akter brenda Partisë Demokratike, mirëpo kur bëhet fjalë për këso situate në çfarë jemi… nuk mund të veproj jashtëligjshëm, pa marrë parasysh nëse ka thënë kryetari i partisë, a qoftë dikush tjetër.. Jam me parti gjithsesi, por natyrisht unë marrë referenca edhe prej qeverisë, edhe ndërkombëtarëve”, deklaron Hetemi.
Zeqiri ka vendosur që funksionin e tij ta ushtrojë nga zyra alternative, ndryshe nga kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi i cili për më shumë se një muaj po qëndron i mbyllur në objektin e komunës.
Zeqiri deklaron se nuk e kupton çfarë mund të bëjë një kryetar i mbyllur, pa kontakte dhe bashkëpunim. Ai e porosit Hetemin që të veprojë nga një zyrë alternative pasi do të ketë më të lehtë të ushtrojë detyrat e tij.
“Është zgjedhja e tij, por unë nuk e kuptoj çfarë do të kisha mundur të bëj në organizim po të isha i mbyllur në komunë… Kështu që unë e konsideroj më të lehtë me qenë në një aneks zyre, por ku mund të funksionoj… Mesazhi im për të kishte me qenë që t’ia bëjë sikur unë, ku është më i lirë për veprim, kontakte”, thotë Zeqiri.
Mirëpo,Zeqiri nuk e fsheh dëshirën për të ushtruar detyrën e tij nga zyra që ndodhet në objektin e komunës në Zubin Potok dhe shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejtë.
“Besoj së shpejti, me ju thënë të drejtën, me pa që ka klimë dhe nuk ka tensione, mund të shkoj edhe brenda ditës”, shprehet Zeqiri.
Sa i përket punëve dhe detyrave të përditshme në komunë, kryetari i Zubin Potokut potencon se është arritur që deri diku të vihen punët në binarë, ndonëse përmend mungesën e komunikimit me shumicën serbe, si sfidën kryesore.
“Kemi themeluar stafin, kabinetin dhe kemi arritur deri diku t’i vejmë punët në binarë… Ka sfida për shkak se në përpjekjet e mia të deritanishme për ta zgjeruar komunikimin sidomos me shumicën serbe, nuk arritëm ta bëjmë për shkak se nuk dëshirojnë, frikësohen…Sidoqoftë shërbimet po kryhen…Në baza ditore kemi dhjetëra kërkesa, sidomos zyra e regjistrimit civil siç janë letërnjoftimet, pasaportat, regjistrimi i automjeteve, shërbimet sociale i marrin të gjithë qytetarët… Trembëdhjetë drejtori janë funksionale dhe e kemi plotësuar atë boshllëk sa i përket emërimit të drejtorive, mirëpo sa mundemi të funksionojmë, sidomos tek çështja e zyrës kadastrale, pastaj tek Drejtoria e Shëndetësisë dhe Arsimit”, vijon Zeqiri.
Kryetari i Zubin Potokut thotë se Lista Serbe dhe grupe të caktuara, po bëjnë presion të jashtëzakonshëm duke i frikësuar qytetarët serbë për të mos qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Unë e kam në telefon një komunikim, unë ju kam ofertuar (serbëve) rreth themelimit të drejtorive, tetë drejtori me ju dhënë… Përgjigjen ma ka kthye, ku thotë se është e pabesueshme, por nuk po guxojnë, bile edhe kundërshtarët e Vuçiqit nuk po guxojnë… Kanë një presion nga grupacionet e veta. Po dihet kush janë ata, Lista Serbe, pastaj grupet brenda tyre, secili po thotë se po frikohen, e kam mesazh në telefon komunikimin”, përfundon Zeqiri.
Zeqiri u zgjodh kryetar i Zubin Potokut në zgjedhjet e 23 prillit, të cilët u bojkotuan nga Lista Serbe, e cila gjithmonë ka udhëhequr me këto komuna. Megjithatë, tentativat e tij për të hyrë në objektin e Komunës ngjallën tensione duke bërë që situata të mbetet e brishtë në veri që nga data 26 maj./kp