Zëvendëskryeministrja: Jam e tmerruar nga fyerjet shoviniste të bazuara në përkatësi racore

 
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Redžepi, ka reaguar lidhur me rastin që ndodhi mbrëmë në një qendër tregtare në Prizren, ku një familje rome u sulmua për mosmbajtjen e maskave.
“Si zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, dënojë fuqishëm aktin e barbarisë dhe shprehjes së urrejtjes dhe intolerancës ndaj popujve të tjerë që vijnë nga komuniteti joshumicë, që fatkeqësisht ndodhi mbrëmë në një qendër tregtare në Prizren, ku një familje rome u sulmua për mosmbajtjen e maskave. Jam e tmerruar nga fyerjet shoviniste të bazuara në përkatësi racore dhe etnike dhe dënojë fuqishëm sulmin ndaj pjesëtarëve të komunitetit rom!”, ka thënë Redžepi.
Zëvendëskryeministrja ka theksuar se romët janë qytetarë të barabartë të qytetit dhe shtetit tonë, të cilët gëzojnë të njëjtat të drejta si të gjithë qytetarët e tjerë.
“Të gjithë ata që morën pjesë në sulm do të mbajnë përgjegjësi, jam e sigurt në punën e institucioneve kompetente!”, ka shkruar Redžepi në Facebook.

Ndërkohë, avokati Arianit Koci ka dhënë detaje të tjera lidhur me rastin që ndodhi mbrëmë në një qendër tregtare në Prizren.

“Edhe pak për racizmin! Në bisedë me djalin e familjes rome kuptova disa detaje rrënqethëse:- Kanë qenë 3 pjesëtarë të sigurimit – dy prej tyre i kanë goditur romët; – Së paku 2 qytetarë – kalimtarë të rastit, i kanë goditur romët – pa asnjë arsye. – Rrahja e babës dhe vëllaut ka ndodhë para syve të motrës 11 vjeqare. Prezent ka qenë edhe nana e saj. Lutjet, britmat dhe kukamat, nuk i kanë ndalë sulmuesit; – Siç po pohojnë shumë qytetarë, në qendër tregtare, shumica nuk kanë pasur maska. E maska ka qenë pretekst për dhunën fizike. Prandaj, policia duhet t’i marrë urgjentisht të gjitha kamerat dhe t’i procedoj personat përgjegjës – të gjithë rend, duke i përfshirë edhe kalimtarët e rastit “që kanë shkepë boksa”, pa asnjë arsye. Në fakt, si duket, arsyeja qenka tipike rasciste: viktimat janë rom!”, ka shkruar avokati në Facebook./21Media

Sulm ndaj një familje rome në një qendër tregtare në Prizren

Back to top button