Zëvendësministri Durmishi ftohet nga Prokuroria Speciale për rrugën Prishtinë-Podujevë

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar lidhur me nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë-Podujevë. Kështu ka njoftuar vet ai përmes një postimi në Facebook.

“Dëshiroj të ju njoftoj se kam pranuar një ftesë nga prokuroria speciale për intervistë me datën 8 maj. Kur e mora ftesën mendova që më në fund po më ftojnë për të më pyetur për lëndën që e pata dorzuar në prokurori speciale para gati tri viteve. Por jo, ata më kishin ftuar për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë. Me gjasë dikujt po i pengon dinamika e punimeve në këtë projekt sepse gjithçka po ecën sipas planit. “, ka shkruar Durmishi.

Sipas tij ai është ftuar “duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik”.

“Të ftosh zv.ministrin për intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik, edhe pas vendimit të OSHP- së që na jep të drejtë neve si autoritet kontraktues, më duket sinqerisht e pakuptimtë. Ankesa e atij operatori ekonomik është shpallur e pabazuar edhe me vendim.”, ka shkruar ai.

Më tej Durmishi është zotuar se do të paraqitet në Prokuorinë speciale me 8 maj.

“Sa e sa raste kam dërguar në prokurori speciale, prokurori themelore e polici të krimeve ekonomike dhe asnjë deri më tash nuk po trajtohet, përkundrazi zvarriten me vite e vite edhe pse ka fakte sa të duash për krim e korrupsion. Rasti i mirëmbajtjes së urave p.sh ku nga 500 mijë euro të planifikuara në fund kontrata përfundon në 5 milionë e 300 mijë euro. Nuk e di çfarë fakti tjetër i duhet prokurorit për të vepruar. Unë me datë 8 maj do të shkoj në Prokurori Speciale për të ju treguar që jam i lumtur që jam nënshkrues i kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë.  Do të doja që edhe projektet tjera të ecnin me dinamikën e punëve që po bëhen në këtë rrugë. Do të vazhdoj që t’a kryej punën time me nder e përkushtim pavarësisht pengesave që na dalin gjatë rrugës”, ka deklaruar ai.

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch” pati evidentuar varg shkeljesh në tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë. Në gusht të vitit të kaluar. Ky konsorcium pat vlerësuar se, Ministria e Infrastrukturës në mënyrë të kundërligjshme ka nënshkruar kontratë ani se për këtë procedurë tenderuese pati ankesë të pashqyrtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. “/21Media

 

 

 

Back to top button