Gjermania zotohet me 90 milionë euro mbështetje për punësim, energji dhe integrim të Kosovës në BE

Gjermania ka zotuar 90 milionë euro për punësim, energji dhe integrim të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Financave dhe Transfereve përmes një postimi ku thuhet se 20 milionë euro prej tyre janë në formë të granteve.

“Ministri Murati dhe Kryesuesja e Divizionit për Evropën Juglindore dhe Lindore nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Gjermanisë, znj. Heike Backofen-Warnecke nënshkruan protokollin e bashkëpunimit zhvillimor që zoton mjete në vlerë prej 90 milionë euro mbështetje nga Republika Federale e Gjermanisë. Pas përfundimit të negociatave mes Kosovës dhe Gjermanisë, Qeveria Gjermane zotoi një mbështetje shtesë prej 90 milionë euro për Republikën e Kosovës për periudhën 2024/2025, prej të cilave 20 milionë euro janë në formë të granteve. Kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”, ka shkruar MFT në “Facebook”.

Tutje bëhet e ditur se këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në BE.

“Këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ndër të tjera fokusohen në investime në sektorin e energjisë, përkatësisht procesit të dekarbonizimit, garantim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrim të trajnimeve dhe punësimit si dhe mbështetje të komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë Gjermane duke përmendur disa projekte të rëndësishme që janë zbatuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, siç është projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, menaxhimit të mbeturinave në të gjithë Kosovën si dhe themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren. Sa i përket mbështetjes së zotuar sot, Ministri Murati falënderoi Qeverinë Gjermane, duke potencuar se një mbështetje e tillë forcon edhe më tutje marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, promovon zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe e përafron atë me Bashkimin Evropian”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa Ambasadori, Rohde ka thënë se projektet e radhës të cilat do të zbatohen përmes fondeve të zotuara sot, do të përforcojnë pavarësinë ekonomike të grave dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik

“Nga ana e tij, Ambasadori Gjerman Jörn Rohde theksoi bashkëpunimin gjermano-kosovar, duke thënë se ky i fundit ka kontribuar në standard më të mirë të jetesës për të gjithë qytetarët, duke promovuar rritjen ekonomike dhe punësimin e rregullt. Sipas Ambasadorit Rohde, projektet e radhës të cilat do të zbatohen përmes fondeve të zotuara sot, do të përforcojnë pavarësinë ekonomike të grave dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik të gjelbër dhe inovativ të Kosovës”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button