Zëvendëspresidentja e Argjentinës shpallet fajtore për korrupsion

Një gjykatë në Argjentinë ka dënuar zëvenëspresidenten Cristina Fernandez de Kirchner me gjashtë vjet burg për korrupsion në një rast që ka tronditur vendin.
Fernández, 69 vjeçare, u shpall fajtore për “administrim mashtrues” për dhënien e kontratave të punëve publike një miku.
Por ajo nuk ka gjasa të kryejë dënimin me burg.
Fernández ka njëfarë imuniteti përmes roleve të saj në qeveri dhe pritet të nisë një proces të gjatë apelimi.
Ajo gjithashtu është përjashtuar përgjithmonë nga funksionet publike, por do të vazhdojë të jetë në postin e nënkryetares derisa çështja të kalojë në gjykatat më të larta.
Prokurorët kishin kërkuar një dënim me 12 vjet burg.
Fernández tha se akuzat kundër saj ishin të motivuara politikisht. Duke folur pas vendimit, ajo e përshkroi veten si viktimë e një “mafie gjyqësore”, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Para marrjes së vendimit, ajo gjithashtu kishte akuzuar prokurorët se e kishin gënjyer dhe shpifur ndaj saj.
Prokurorët thanë se Fernández kishte udhëhequr një partneritet të paligjshëm gjatë kohës kur ajo ishte presidente e Argjentinës nga 2007 deri në 2015.
Ata thanë se ajo kishte krijuar një skemë ryshfeti që drejtonte kontratat fitimprurëse të punës publike drejt një shoqeje të saj në këmbim të ryshfetit.
Biznesmeni Lázaro Báez, pronar i një firme ndërtimi i cili u akuzua si përfituesi kryesor i skemës, u dënua gjithashtu me gjashtë vjet burg. Ai ishte dënuar tashmë me 12 vjet burg vitin e kaluar për pastrim parash.
Njëmbëdhjetë persona të tjerë ishin në gjyq, raporton agjencia e lajmeve AFP. Shtatë u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga tre vjet e gjysmë deri në gjashtë vjet burg, tre u liruan dhe njërit iu pushua çështja./21Media

Back to top button