Zgjedhje të qeta me pak votues, fitues VV-ja e PDK-ja

Dje në katër komunat veriore të Kosovës janë mbajtur zgjedhjet për kryetarë.

Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, kandidati i Vetëvendosjes në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Lulzim Hetemi po nga radhët e VV-së fitoi garën për kryetar të Leposaviqit me 100 vota, apo 73.5 për qind. Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave apo 196 vota. Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci po ashtu nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota.

Zgjedhjet e 23 prillit nga Policia e Kosovës i ka vlerësuar si të qeta dhe pa asnjë incident.

Forcat policore kanë qëndruar në Veri për të ruajtur sigurinë.

Zgjedhjet e së dielës u bojkotuan nga shumica e serbëve. Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) dje për RTV21 deklaroi se zgjedhjet në veri janë karakterizuar me atmosferë të qetë, si shkak i mungesës së votuesve.

Sipas tij, atmosfera e zgjedhjeve ishte ”atmosferë që më së paku i ngjason zgjedhjeve”.

Cakolli tutje ka shtuar se të pranishëm në këto zgjedhje më së paku kishte votues.

Zyrtarë të KQZ-së, në konferencën pas mbylljes së vendvotimeve, njoftuan se në këto zgjedhje lokale morën pjesë 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e të gjithë atyre me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës si dhe për asamble komunale në dy komuna në veri, janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kështu ka thënë dje Ambasada e SHBA-së në Kosovë. /21Media 

Back to top button