Zgjedhjet e 11 Qershorit: KOSOVA  MBI TË GJITHA!

Nga Harry Bajraktari

Qytetarët e Kosovës në zgjedhjet parlamentare, këtë të dielë më 11 Qershor, për disa herë me radhë, pas shpalljes së pavarësisë, do t’ u drejtohen kutive të votimit për të zgjedjur më të mirët që ata mund t’ i vlerësojnë. Për ta pasur një qeveri dhe një parlament stabil, e nevojshme është një pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në këto zgjedhje, duke marrë parasysh se në të kaluarën përqindja e tyre nuk ka qenë e kënaqshme. Në anën tjetër, populli i Kosovës ka pasur rast t’ i njohë ata të cilëve u ka dhënë besimin për disa mandate radhazi dhe në bazë të këtyre rezultateve mund të vendosë. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme që pasuan pas mocionit më 9 Maj, duhet ta nxjerrin një qeveri dhe një parlament kredibil, më të vullnetshëm dhe më të ndërgjegjshëm për ta çuar Kosovën përpara, si në zhvillimin ekonomik, në zbatimin e ligjshmërisë, në ndaljen e korrupcionit e krimit të organizuar, në zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat Kosova po ngec. Pra, Kosovës i duhet një qeveri që me platformën e saj, bën diferencën në të gjithë sektorët e zhvillimit. Këtë diferencë mund ta bëjë vota e popullit.

Kosovës i duhet një qeveri me një platformë shumë më efikase sidomos në zhvillimin ekonomik, ku do të krijoheshin vende të reja pune dhe qytetari ynë ardhmërinë dhe perspektivën ta sheh në vendin e tij, e jo në kërkim të migrimit, në një vend tjetër. Pa zhvillim ekonomik nuk ka as rritje të standardit jetësor, i cili në Kosovë është i ulët. Kosova, siç e dimë të gjithë, ka rekurse të mjaftueshme natyrore për ta bërë diferencën ekonomike si, në industri, në ekonominë e vogël, e sidomos në bujqësi, turizëm dhe në sektorët tjerë ekonomik.

Kosovës i duhet një qeveri që përmjet ligjit e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe pa fitimin e kësaj beteje nuk mund të ketë progres e as zhvillim të demokracisë.

Qeveria dhe legjislatura e re që do të dalë nga vota e lirë e 11 Qershorit, ndër prioritetet e para duhet të ketë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj, të cilët të vetmit në Evropë kanë mbetur pa realizimin e kësaj të drejtë elementare, karshi një bote të madhe ekzistuese e të lirë.

Duke pasur përballë Serbinë, një armik që kërcënon shqiptarët me projekte e

saj pushtuese, qeveria dhe legjislatura e re, sa më shpejt do të duhej ta formojnë ushtrinë, e drejtë e një shtetit të pavarur për të mbrojtur popullin dhe territoret e saj.

Ne na duhet një qeveri pro-perëndimore, e cila shpejton proceset integruese në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO.

Të gjtha këto mund të kapërcehen nëse Kosova do të vëhet para interesave personale, grupore klanore dhe nëse vota e qytetarit shkon atje ku duhet dhe nuk manipulohet. Pra, Kosova të jetë mbi të gjitha. Koha nuk pret, duhet të zëmë hapin.

ËSHTË OBLIGIM KUSHTETUES E MORAL QË ÇDO QYTETAR TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, MË 11 QERSHOR, TË VOTOJË PËR TË ARDHSHMËN E TIJ!

 

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i Komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

 

 

Back to top button