Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja me njoftim për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve sot ka njoftuar për regjistrimin online të votuesve me nevoja të veçanta. Ky proces ka filluar më 4 janar dhe do të përfundojë deri më 5 shkurt 2025.

Referuar njoftimit për media nga KQZ thuhet se ky institucion do të angazhojë ekipet mobile në çdo komunë të Republikës së Kosovës për të mundësuar votimin e personave të regjistruar si votues me nevoja të veçanta.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke u zhvilluar periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim në ditën e zgjedhjeve. Për të mundësuar votimin e personave të regjistruar si votues me nevoja të veçanta, KQZ do të angazhojë ekipet mobile në çdo komunë të Republikës së Kosovës, më 9 shkurt 2025. Procesi i regjistrimit të këtyre votuesve ka filluar më 4 janar dhe do të përfundojë më 5 shkurt 2025. Me qëllim të lehtësimit të regjistrimit të këtyre votuesve, KQZ ka funksionalizuar
platformën online: https://vpnv.kqz-ks.org/. Votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë këto kategori: I. Personat me sëmundje apo aftësi të kufizuar për shkak të së cilës nuk mund të dalin nga shtëpia; II. Personat me lëvizje të kufizuar në institucione, si: spitale, shtëpi për të moshuarit dhe strehimore; dhe III. Personat në rrethana të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkaqe sigurie apo janë në arrest shtëpiak”, thuhet në njoftim. /21Media

Back to top button