Kaloni te përmbajtja kryesore

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: 11 të arrestuar për blerje dhe fotografim të votës

(Lajm i përditësuar)


Mickoski: Këto zgjedhje janë mesazh për Ali Ahmetin, që rrihte gjoks se ndryshon kryeministra

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se partia e tij ka fituar mbi 30 komuna në zgjedhjet lokale, përcjell TV21.

Mickoski tha se këto zgjedhje janë mesazh edhe për Bashkimin Demokratik me në krye Ali Ahmetin.

“Këto zgjedhje janë mesazh edhe për BDI-në. Kur Ali Ahmeti rrihte gjoks se ndryshonte kryeministra, i thash ngadalë, qetësohu, prit, do të befasohesh nga rezultati. Kjo është ajo ditë, çka është më me rëndësi, në këto zgjedhje, politikat e etnocentrizmit, nacionalizmit dhe temave artificiale për shqiponja dhe lepuj dhe tema që janë të parëndësishme për qytetarët, janë mposhtur, ndërsa hapet çështja për reforma në opozitë. Unë nuk dua opozitë të dëgjueshme, por më të koncentruar dhe më me kapacitet se kjo , që flet për shqiponja dhe lepuj”, tha Mickoski.


Rexhepi: Beteja për Tetovën vazhdon

Tetova sipas gjitha gjasave do të shkojë në balotazh, ku pritet të përballen kandidati i AKI-së për kryetar të kësaj komune, Bajram Rexhepi dhe kryetari aktual i Tetovës, kandidati i VLEN, Bilall Kasami.

Rexhepi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se beteja për Tetovën vazhdon.

“Tetovë faleminderit për votat e pastra dhe me zemër! Falënderoj çdo aktivist, çdo qytetar, për punën e palodhshme dhe besimin e dhënë. Beteja për Tetovën vazhdon. Me më shumë përkushtim, me më shumë forcë dhe me të njëjtin ideal, për një Tetovë me dinjitet!”, ka shkruar Rexhepi.


Bilall Kasami feston në Sheshin e Tetovës: VLEN fitoi gjithë Pollogun

Bilall Kasami tha se kanë fituar 11 komuna në krahasim me AKI-në që ka fituar vetëm tri komuna. Kasami tha se Tetovën e kanë fituar me diferencë katër mijë vota, ndërsa në Zonën 6 nuk kanë fituar vetëm Gostivarin.

Siç tha Kasami, me këshilltarët komuna, kanë fituar në të gjitha komunat.

“Sot është nata më e bukur se e fituam të gjithë Pollogun, e fituam të gjithë Maqedoninë. BDI kërkoi referendum dhe e fitoi. Në Tetovë kemi fituar me diferencë mbi 4 mijë vota. Në Zonën 6 i kemi fituar të gjitha komunat, përveç Gostivarit, aty ua kemi lënë për gjynah. Në nivel nacional jemi 11 me 3 komuna. Me këshillat komunal kemi fituar në të gjitha komunat”, tha Kasami.


Fatmir Dehari feston në Kërçovë: Nuk humbi asnjë nga ne

Fatmir Dehari ka shpallur fitoren në Kërçovë ku falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen. Dehari tha se shqiptarët fituan dhe treguan se çka është demokracia.

“Ju falënderoj të gjithve nga zemra, ju që jeni këtu dhe të gjithë ata shqiptarë që sot i dhanë kuptim Kërçovës. Sot fituan shqiptarët dhe nuk humbi asnjë nga ne”, tha Dehari. /tv21.tv


Ademi: AKI fituese absolute në nivel shtetëror, me 20 mijë vota epërsi karshi VLEN-it

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi tha se AKI- ja ka fituar në nivel nacional që siç theksoi, dallimi është mbi 20 mijë vota ndërkohë që prek që epërsia të rritet në rezultatet përfundimtare, shkruan TV21.

“Në nivel nacional AKI-ja është fituese absolute, si total i votave të mbledhura në nivel nacional dhe dallimi është mbi 20 mijë vota. Sa të përpunohet rezultatet, ky dallim thellohet edhe më tutje”, tha Ademi.


Osmani i AKI-së e uron Mexhitin e VLEN-it për fitoren në Çair

Bujar Osmani ka uruar kundërkandidatin e tij Izet Mexhitin për fitoren në Çair duke i uruar suksese në drejtimin e komunës për katër vitet e ardhshme. Osmani falënderoi të gjithë mbështetësit e tij, por siç tha, fjala e fundit u takon qytetarëve.

“Megjithatë, në politikë, fjala e fundit u takon qytetarëve. Unë kam qenë mjaft gjatë në politikë për t’i njohur dhe respektuar mesazhet që qytetarët i dërgojnë. Edhe pse fushata nuk ishte as e drejtë as e ligjshme në çdo aspekt, por unë nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në sitiata si kjo. Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij, ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme. Në fund, dua të falënderoj familjen time, ata e mbajtën barrën më të madhe të angazhimit tim politik, por nga aty mora edhe përkrahjen e fortë.Për hapat e ardhshëm politik, ditëve në vijim”, tha Bujar Osmani./tv21.tv


Izet Mexhiti ia kërkon dorëheqjen Ali Ahmetit

Izet Mexhiti shpalli fitoren në komunën e Çairit që për këtë falënderoi të gjithë qytetarët dhe aktivistët. Mexhiti tha se në këto zgjedhje fituan shqiptarët, ndërkohë që tha se po pensionohet një klasë politike.

Ai kërkoi dorëheqjen e Ali Ahmetit, ku ironizoi duke i uruar fitoren në Pllasnicë.

“Në Çair fituan të gjithë shqiptarët dhe u pensionua një klasë politike shqiptare. Sot me zemrën plot krenari e mirënjohje dua të them me zë të lartë dhe të çartë, sonte fituan shqiptarët dhe sonte një klasë politike u pensionua. Urime fitorja, urime pensionimi kundërshtarëve politik. Sonte po i drejtohem kundërshtarit tim politik, Ali Ahmetit me plot respekt dhe qartësi, ky është çasti ku duhet të dorëhiqesh. Vota e shqiptarëve të dërgoi në pension politik”, tha Izet Mexhiti./TV21


Toshkovski: Janë privuar nga liria 11 persona për shkak të ryshfetit, fotografimit ose shkatërrimit të fletëvotimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se zgjedhjet kanë kaluar kryesisht në një atmosferë të drejtë dhe demokratike.

Ai informoi se janë arrestuar 11 persona, ndërsa janë verifikuar edhe 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet në lidhje me zgjedhjet.

“Janë privuar nga liria 11 persona për shkak të ryshfetit, fotografimit apo shkatërrimit të fletëvotimit. Janë liruar katër persona, ndërsa shtatë janë ndaluar për procedurë të mëtejshme. Janë raportuar shtatë raste me përfshirje të dyshuar të zyrtarëve policorë, nga të cilat në gjashtë nuk janë konstatuar parregullsi. Janë regjistruar 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet që janë objekt i verifikimeve të mëtejshme. Të gjitha këto të dhëna dëshmojnë se procesi zgjedhor kaloi në atmosferë të drejtë, të qetë dhe demokratike, pa shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike”, tha Toshkovski.

Ai theksoi se gjatë ditës së sotme është ndaluar edhe një person i punësuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, por në momentin e ndalimit nuk ka qenë në kryerje të detyrave të punës.

“Sipas informatave që kam, një nga personat e privuar nga liria është i punësuar në kuadër të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, por në momentin e ndalimit nuk ka qenë duke i kryer detyrat e punës dhe është ndaluar sepse ka refuzuar të identifikohet”, deklaroi Toshkovski.


Ademi: AKI i vlerëson zgjedhjet demokratike, me disa lëshime

Pas mbylljes së qendrave të votimit dhe përfundimit të heshtjes zgjedhore, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi falënderoi qytetarët për pjesëmarrje në procesin zgjedhorë ndërkohë tha se, AKI-ja këto zgjedhje i konsideron si të lira dhe demokratike, shkruan TV21.

“Bëjmë thirrje drejtë çdo komisioneri, çdo vëzhguesi dhe çdo institucioni përgjegjës që të ruaj standardet më të larta evropiane në mënyrë që rezultati përfundimtarë të pasqyrojë vullnetin e vërtetë të qytetarëve. Besëlidhja AKI, i konsideron këto zgjedhje të lira, fer dhe demokratike me disa vërejtje që do të evidentohen me përgjegjësi institucionale në ditët të vijim“, tha Arbër Ademi


KSHZ: Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale deri në orën 18:30 është 46,65%

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në nivel të gjithë shtetit deri në orën 18:30 ka arritur në 46,65 për qind, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Sipas kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Kondarko, deri në këtë orë kanë votuar gjithsej 803.091 qytetarë. Deri më tani janë përpunuar të dhënat nga 3.287 vendvotime, që përbëjnë 94,62 për qind të numrit të përgjithshëm të vendvotimeve. Në këto vendvotime janë të regjistruar 1.721.645 votues.

Për krahasim, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, pjesëmarrja deri në orën 19:00 kishte qenë 49,98 për qind.

Në nivel të Qytetit të Shkupit, deri në orën 18:30 pjesëmarrja ka qenë 46,64 për qind.

Sipas komunave të Shkupit, pjesëmarrja është si vijon:

Aerodrom – 45,57%

Butel – 49,71%

Gazi Babë – 41,97%

Gjorçe Petrov – 45,09%

Karposh – 49,92%

Kisella Vodë – 46,25%

Saraj – 55,20%

Qendër – 49,41%

Çair – 51,27%

Shuto Orizare – 35,33%


Lokalet a do të sjellin zgjedhje parlamentare? Ahmeti: Sigurisht se po

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se rezultatet e zgjedhjeve lokalet do të ndikojnë edhe në nivelin qendror, transmeton TV21.

Siç tha Ahmeti, këto zgjedhje kanë peshë të madhe politike.

“Sigurisht, unë e thash edhe në fillim, këto janë zgjedhje të karakterit sa lokal po aq rëndësi kanë edhe politike”, tha Ali Ahmeti.


VLEN: Që në raundin e parë presim fitore në Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë

Pas përfundimit të procesit zgjedhorë dhe mbylljes së qendrave të votimit, koalicioni VLEN përmes një konference për media tha se presin fitore që në raundin e parë në komunat Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë, shkruan TV21.

“Presim fitore pothuajse në secilën komunë. jemi optimistë se në disa prej komunave se gara do të mbyllet që në rrethin e parë. kjo mendon se vlen për komunën e Çairit, jemi afër fitores edhe në komunën e Tetovës në raundin e parë, gjithashtu të njëjtën e presim në komunën e Sarajit, në komunën e Bogovinës, zhelinës dhe Tearcës. Jemi në proces të grumbullimit të informatave”, thotë VLEN.


Gashi: Kjo fushatë ishte një nga shembujt më të mirë se si praktikohej demokracia në shtetin tonë

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili e realizoi të drejtën e tij në zgjedhjet lokale në SHF “Kërste Petkov Misirkov” në Shkup, në deklaratën për media tha se sot është ditë e madhe për demokracinë dhe u uroi faktorëve politikë në shtet për, siç tha, fushatën dinjitoze.

“Sot është ditë e madhe për demokracinë. I përshëndes të gjithë qytetarët. U uroj faktorëve politikë në shtet për fushatë dinjitoze. Mendoj se kjo fushatë ishte një nga shembujt më të mirë se si praktikohej demokracia në shtetin tonë. Deri tani nuk ka pasur asnjë incident gjatë këtyre ngjarjeve. Mendoj se fushatë të tillë nuk kemi pasur deri tani. U uroj të gjithë qytetarëve, por edhe të gjithë faktorëve politikë në shtet për këtë fushatë, të realizuar në mënyrë të tillë”, porositi Gashi.

Gashi bëri thirrje deri te faktorët politikë, institucionet dhe qytetarët ta mbajnë nivelin e deritanishëm të fushatës dinjitoze deri në fund të ditës. U bëri thirrje të gjitha institucioneve në shtet – Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, monitoring misioneve në shtet, të jenë në vendin e tyre, ta kryejnë punën e tyre në mënyrë më të ndershme dhe me përgjegjësi. Shpreson se kjo ditë do të finalizohet në mënyrën më të mirë të mundur.

U bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin të votojnë qetë, me bindje të tyre dhe ta shprehin mendimin e tyre për subjektin politik, kandidatin për të cilin mendojnë se më së miri do t’i përfaqësojë gjatë katër viteve të ardhshme./TV21


Siljanovska: Pres legjitimitet më të madh se në zgjedhjet e fundit

Pres zgjedhje demokratike. Pak është më e ndërlikuar në shikim të parë, ka më shumë lista, por sipas meje kjo u jep legjitimitet më të madh demokratik në zgjedhje, porositi presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila e realizoi të drejtën e saj zgjedhore në zgjedhjet lokale në SHF “Kole Nedellkovski” në Shkup.

Ajo theksoi se edhe krahas asaj se deputetët nuk e kanë plotësuar zbrazëtirën juridike pas vendimit të Gjykatës kushtetuese, druaja nga pasiguria juridike ka qenl e pabazuar.

“U tregua se edhe pse deputetët kanë lëshuar mundësinë ta bëjnë këtë, gjë që kanë pasur obligim juridik ta plotësojnë zbrazëtirën pas vendimit të Gjykatës kushtetuese, se druaja ka qenë e pabazuar. Ka shumë kandidatë, sa shoh, por qytetarët kanë edhe më shumë zgjedhje”, tha presidentja. /TV21


Mbyllen vendvotimet në Maqedoninë e Veriut 

Janë mbyllur vendvotimet në Maqedoninë e Veriut, ku sot më 19 tetor, u mbajtën zgjedhjet e 8-ta lokale pas pavarësimit të vendit.


Mickoski: Pres të shpallim edhe një fitore të madhe historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin

Nga informatat që kam deri më tani, mund të them se dita po kalon qetë, me dinjitet, ashtu siç pritet, ashtu si edhe qytetarët e Maqedonisë. Pres që dita të përfundojë kështu sot, ndërsa me rezultatet të shpallim edhe një fitore historike për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë për mediat, pasi votoi në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov” në komunën e Karposhit në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 2025.

“Populli gjatë fushatës, por edhe në periudhën e kaluar mund të bëj një dallim të qartë dhe mendoj se qytetarët do të vendosin të shkojmë vetëm përpara, në zhvillim, ndërsa jo të kthehemi prapa në ato kohë kur Maqedonia plaçkitej dhe shitej. Maqedonia meriton më mirë dhe pres që sot kjo të jetë edhe zgjedhja e qytetarëve”, shtoi ai.


Në cilat komuna ekziston rreziku që zgjedhjet për kryetar komune të dështojnë?

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale deri në orën 17:00, në disa komuna është vërejtur një pjesëmarrje shumë e ulët, gjë që krijon rrezik që në këto komuna të mos zgjidhet kryetar komune.

Sipas nenit 132 të Kodit Zgjedhor, që të ketë fitues që në raundin e parë, ose që të zhvillohet raundi i dytë pas dy javësh, sot duhet të kenë votuar të paktën 33,33% e votuesve të regjistruar në komunën përkatëse.

Në Kodin Zgjedhor thuhet:

“Në raundin e parë për zgjedhjen e kryetarit të komunës zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave nga votuesit që kanë votuar, nëse në zgjedhje kanë dalë së paku një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore për komunën përkatëse. Nëse në raundin e parë për zgjedhjen e kryetarit të komunës ose të kryetarit të Qytetit të Shkupit nuk del të paktën një e treta e votuesve të regjistruar, atëherë i gjithë procesi zgjedhor përsëritet për komunën përkatëse.”

Në vijim, deklarata e zëdhënësit të KSHZ-së për daljen e votuesve deri në ora 17:00


Deri në orën 17:00 në Maqedoni të Veriut votojnë rreth 40 për qind e qytetarëve

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale deri në orën 17:00 ka arritur në 39,61 për qind, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani tha se 673.052 votues e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Shabani tha se krahasuar me të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale të vitit 2021, jehona e votuesve para katër viteve ka qenë 41,38 për qind.

Ndalimi i dy personave në Çair, MPB: Nuk kanë qenë të përfshirë në procesin zgjedhor

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar ndalimin e dy personave në një shkollë në Çair, përcjell TV21.

Sipas MPB-së, dy personat ishin paraqitur si vëzhgues, edhe pse nuk ishin të autorizuar për përfshirje në procesin zgjedhor. Policia thotë se personat në fjalë kishin refuzuar identifikimin.

“Për shkak të mosrespektimit të urdhrave të zyrtarëve të autorizuar dhe për verifikimin e identitetit, janë ndaluar dy persona në oborrin e një shkolle fillore në territorin e Çairit, në Shkup. Bëhet fjalë për F.E. (35) dhe N.E. (44). Respektivisht, personat nuk kanë qenë të përfshirë në procesin zgjedhor, por janë paraqitur si vëzhgues të zgjedhjeve. Ata ndodheshin në oborrin e shkollës dhe kanë refuzuar të identifikohen. Po merren masa për sqarimin e rastit”, thonë nga MPB.


KSHZ: 515.069 votues kanë votuar deri në ora 15:00!

Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor kumtuan se deri në ora 15:00 të drejtën e votës në të gjithë territorin e vendit e kanë shfrytëzuar 515.069 votues, përcjell TV21. Zëdhënësi Admir Shabani tha se jehona e votuesve është 31,16%, që paraqet përqindje përafërsisht të njëjtë me zgjedhjet e vitit 2021.


MPB: Në Prilep janë ndaluar dy persona për “blerje votash dhe ndikim në votime”

Zgjedhjet lokale 2025 po zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe demokratike në gjithë territorin e vendit, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të cilët shtojnë se po ndërmerren masa dhe veprime brenda kompetencave të për të siguruar zhvillimin e pandërprerë dhe të sigurt të procesit zgjedhor.

“Deri tani nuk janë regjistruar shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike, deklaroi në një konferencë për shtyp zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.

Në orën 09:00, në rrugën “Dabniçka” në Prilep, policët nga Stacioni Policor i Prilepit ndaluan për veprën penale të “blerjes së votës dhe ndikimit mbi votimin” dy persona nga Krusheva: B.H. (72) dhe D.S. (36). Në lidhje me të njëjtin rast, në stacionin policor të Prilepit janë thirrur edhe: S.A. (28), M.A. (31), Sh.A. (40), D.A. (22) dhe Xh.A. (36), gjithashtu nga Krusheva, që qëndrojnë në Prilep. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të parashtrohet denoncimi i duhur ligjor.

Janë regjistruar disa denoncime për agitacion gjatë votimit në disa vende, por pas ndërmarrjes së masave të nevojshme, deri tani nuk janë konfirmuar pretendimet e paraqitura.

MPB apelon te të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të kontribuojnë për një atmosferë të qetë dhe demokratike. Çdo shkelje e procesit zgjedhor mund të raportohet në stacionin policor më të afërt ose në numrat e telefonit 192 ose 112.


KSHZ: Deri në ora 13:00 kanë votuar 335.244 qytetarë, apo 20,12%

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njofton rezultatin e pjesëmarrjes deri në orën 13:00

“Deri në orën 13:00 janë pranuar të dhëna për pjesëmarrjen nga 3.207 vendvotime. Kanë votuar 335.244 qytetarë, që përbën 20,12% të votuesve”, thonë nga KSHZ.


Prokuroria: Deri tani, nuk ka shkelje të rënda në procesin zgjedhor

Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, dita e sotme e zgjedhjeve lokale 2025 po zhvillohet përgjithësisht qetë dhe pa shkelje të mëdha të procesit zgjedhor, njofton Prokuroria Publike e Shtetit.

Që nga hapja e vendvotimeve në mëngjes, në prokuroritë publike dhe në adresën elektronike zyrtare [email protected] nuk janë raportuar incidente apo parregullsi në vendvotime që do të kishin elemente të veprës penale.

“Një prokuror nga Prokuroria Publike e Strumicës është njoftuar gojarisht për fletëvotime të shtypura gabimisht në komunën e Novo Sellës dhe është zhvilluar bisedë lidhur me rastin. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është informuar që ta zëvendësojë materialin, por është konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale. Gjatë ditës së djeshme janë evidentuar disa raste të izoluara me dyshime për blerje votash në Veles, Prilep, Kriva Pallankë dhe Sveti Nikole. Në të gjitha këto raste po ndërmerren veprime hetimore nën drejtimin e prokurorëve publikë për të verifikuar pretendimet. Gjithashtu janë pranuar disa informacione për shkelje të mundshme të heshtjes zgjedhore, por deri tani numri i ngjarjeve që mund të kenë elemente penale është shumë i vogël. Në bazë të këtyre të dhënave, procesi zgjedhor po zhvillohet pa pengesa të mëdha nga aspekti i ndjekjes prokuroriale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Prokuroria shton se Komisioni i përkohshëm për ndjekjen e parregullsive zgjedhore vazhdon ta monitorojë tërësisht procesin e votimit edhe sot, ndërsa adresa elektronike [email protected] mbetet e hapur për çdo denoncim të dyshimeve për vepra penale që mund të ndikojnë në rrjedhën e zgjedhjeve.

“Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund ta cenojnë procesin zgjedhor do të hetohen, dhe rastet do të trajtohen me prioritet,” – thekson Prokuroria. /TV21


KSHZ: Deri në ora 11:15 kanë votuar 154,275 qytetarë apo 9,38%

Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Admir Shabani njoftoi se jehona e votuesve deri në ora 11:15 është 9,38 për qind, përcjell TV21. Shabani tha se të drejtën e votës deri në këtë kohë e kanë shfrytëzuar 154,275 qytetarë.

“Sa i përket jehonës së votuesve, deri në ora 11:15 minuta Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve akumuloi të dhëna nga 3139 vendvotime, në të cilat 154,275 votues e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës. Thënë kjo në përqindje, jehona e votuesve deri në ora 11:15 minuta është 9,38%”, tha Shabani. /TV21


MPB: Janë regjistruar 20 denoncime për thyerje të heshtjes zgjedhore! 47 postime në rrjetet sociale

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoinë e Veriut njoftojnë se janë regjistruar 20 denoncime për shkelje të heshtjes zgjedhore, përcjell TV21. Sipas Policisë, gjithashtu janë regjistruar 47 postime në rrjetet sociale, ku është bërë thirrje për të votuar kandidat të caktuar.

“Gjatë heshtjes parazgjedhore, në periudhën nga 18.10.2025 deri në orën 07:00 të 19.10.2025, dmth. deri në hapjen e vendvotimeve, janë regjistruar 20 denoncime për shkelje të heshtjes zgjedhore, prej të cilave gjashtë në rajonin e SPB-Shkup, katër në rajonin e SPB-Kumanovë, më pas tre në SPB-Veles, nga dy në SPB-Ohër, SPb-Shtip dhe SPB-Manastir, dhe një në rajonin e SPB-Strumicë. Pas marrjes së masave të nevojshme, nuk u konfirmuan denoncimet për 15 ngjarje. Përveç kësaj, janë regjistruar 47 postime në rrjetet sociale gjatë heshtjes zgjedhore, të cilat lidhen me thirrje për të votuar për kandidatët e caktuar, si dhe video dhe foto të aktiviteteve partiake në selitë e partive. Në të gjitha rajonet, votimi i personave të sëmurë, të pafuqishëm dhe i të burgosurve kaloi pa shqetësime, është regjistruar vetëm një ngjarje e vetme”, thonë nga MPB. /TV21


KSHZ: Jehona e votuesve deri në ora 09:15 është 3%

Deri në ora 09:15, në nivel shteti në zgjedhjet lokale kanë votuar gjithsej 41.890 qytetarë, përcjell TV21. Nga KSHZ njoftojnë se jehona e votuesve deri në ora 09:15 është 3 për qind.

“Përfshi orën 09:15 mëngjesin e sotëm, nga numri i përgjithshëm. Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Numri i vendvotimeve nga ku kanë ardhur të dhënat janë 76,91 për daljen e qytetarëve, këto janë gjithsej 2672 v vendvotime, ku në këto vendvotime janë të regjistruar gjithsej 1 milion e 394 mijë e 750 qytetarë. Numri i përgjithshëm i votuesve që kanë votuar në vendvotimet nga ku kanë ardhur të dhënat, janë 41.890 qytetarë që deri 09:15 e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Numri i përgjithshëm i përqindjes në nivel shteti të votuesve që kanë ardhur të dhënat nga këto rreth 77% të vendvotimeve , është 3% në nivel shteti.”, tha mes tjerash Boris Kondarko, kryetar i KSHZ-së./TV21


“Kryetari harroi vulën”, në fshatin Sërbicë të Kërçovës vendvotimi nuk u hap në kohë

Në fshatin Serbicë të komunës së Kërçovës, vendvotimi nuk u hap në kohë siç është e përcaktuar nga ora 07:00.

Siç njoftoi kryetarja e KKZ-së, Drita Ahmeti-Abedini qendra e votimit nuk u hap pasi kryetari kishte harruar vulën./TV21


Të gjitha 117 vendvotimet në Tetovë janë hapur në kohë!

Në qytetin e Tetovës, të gjitha 117 vendvotimet janë hapur në kohë, raporton gazetari i TV2 1, Senat Zylbehari. Të drejtë vote kanë 87,987 qytetarë. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme kanë votuar rreth 62 persona të dënuar nga Burgu i Tetovës dhe 99 persona të sëmurë.

“Të gjitha vendvotimet në qytetin e Tetovës janë hapur, të gjitha 117 vendvotimet. Paraqiten probleme teknike me pajisjes bimetrike për identifikimin e votuesve, mirëpo janë të angazhuar edhe personat e IT-së nga ana e KSHZ-së, që në çdo objekt shkollor ka nga një person përgjegjës të IT-së”, tha Nazmi Dauti, kryetar i KKZ-Tetovë./TV21


Procesi zgjedhor/Mënyra e votimit, numërimi, rezultatet dhe ankesat

Në gjithsej 3.474 vendvotime në vend, sot në rrethin e parë të zgjedhjeve të teta lokale kanë të drejtë vote 1.832.415 qytetarë.

Një ditë më parë, të drejtën e votës e ushtruan 2.162 të burgosur, personat në arrest shtëpiak, 8.848 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe 442 banorë të shtëpive të të moshuarve.

Për zgjedhjet lokale nuk zhvillohet votim në diasporë, por shtetasit që punojnë ose jetojnë përkohësisht jashtë vendit, nëse udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut, mund ta ushtrojnë të drejtën e votës.

Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00, ndërsa pas mbylljes së tyre do të mund të votojnë vetëm ata që në atë moment ndodhen brenda objektit.

Kush ka të drejtë vote?

Të drejtë vote ka çdo person i regjistruar në Listën Zgjedhore, që posedon letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme – përfshirë edhe dokumente identifikimi që kanë skaduar në periudhën nga 9 gushti (dita e shpalljes së zgjedhjeve) deri më 19 tetor (dita e votimit).

Votimi kryhet personalish. Pas mbërritjes në vendvotim, qytetarit i kontrollohen dokumentet e identifikimit dhe nënshkruhet në ekstraktin e Listës Zgjedhore. Më pas, një anëtar i këshillit zgjedhor i dorëzon fletën e votimit të vulosur.

Secili votues voton vetëm një herë, pavarësisht se në të njëjtën ditë votohet për kryetar komune dhe këshill komunal. Në Shkup votohet edhe për kryetarin e qytetit dhe për kryetarët e komunave që janë pjesë e tij, si dhe për këshillat përkatës.

Votimi zhvillohet në mënyrë të fshehtë, ndërsa identifikimi i votuesve bëhet përmes pajisjeve biometrike të njohura si “fingerprint” (shenja gishti), të cilat u përdorën për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Procedura e votimit

Sipas udhëzimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), votuesi duhet të paraqitet në mënyrë të njëjtë me fotografinë në dokumentin e identifikimit. Përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e akredituar mund ta ndjekin nga afër procesin e verifikimit të identitetit.

Nëse votuesi nuk figuron në listën zgjedhore, këshilli zgjedhor e udhëzon të kontaktojë zyrën rajonale të KSHZ-së ose të kontrollojë në ueb-faqen www.sec.mk/uvid-vo-izbirachki-spisok/ për të parë nëse dhe ku është i regjistruar.

Votuesit analfabetë ose ata me pengesa fizike vendosin shenjen e gishtit të treguesit të djathtë në vendin e nënshkrimit. Votuesi që refuzon të nënshkruhet nuk lejohet të votojë.

Votimi kryhet pas paravanit, duke u rrethuar numri i kandidatit me stilolaps me bojë blu. Në rast gabimi, votuesi nuk merr fletë të re votimi. Fleta e palosur vendoset në kutine e votimit dhe nuk lejohet që votuesi të largohet nga vendvotimi me të.

Në çdo paravan lejohet vetëm një votues, përveç rasteve kur kërkohet ndihmë. Për personat me aftësi të kufizuara, këshilli zgjedhor duhet t’u mundësojë hyrjen dhe ushtrimin e të drejtës së votës. Nëse ata nuk kanë shoqërues, ndihma u ofrohet nga persona të rastësishëm brenda vendvotimit.

Ndalesat dhe rregullat

Votimi familjar, në grup ose në emër të një tjetri është rreptësisht i ndaluar. Shkelja e fshehtësisë së votës përbën vepër penale, pasi Kushtetuta garanton të drejtën e fshehtësisë së votimit. Anëtarët e këshillave zgjedhore janë të detyruar të parandalojnë çdo tentativë për manipulim.

Për pengim të procesit zgjedhor, blerje votash, shkatërrim të materialeve zgjedhore apo mashtrim elektoral, parashikohen dënime sipas ligjit.

Votimi përfundon në ora 19:00. Në rast se rendi prishet, mund të ketë ndërprerje të përkohshme derisa të rikthehet normaliteti. Po ashtu, procesi mund të ndërpritet për shkak të motiveve të jashtëzakonshme, si moti i keq apo mungesa e sigurimit policor.

Gjatë ditës së votimit ndalohet përdorimi i telefonave, kamerave ose mjeteve të tjera për fotografim të fletës së votimit. Personat që shkelin këtë rregull mund të largohen nga vendvotimi.
Në vendvotim ndalohet hyrja me armë, përveç pjesëtarëve të policisë, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm në rast të shkeljes serioze të rendit.

Numërimi dhe rezultatet

Pas mbylljes së votimit, këshillat zgjedhorë brenda pesë orëve dorëzojnë procesverbalet dhe materialet zgjedhore në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ). Këto komisione i përmbledhin rezultatet dhe i përcjellin në KSHZ.

KSHZ publikon rezultatet e para elektronike në mënyrë të njëpasnjëshme, ndërsa rezultatet përfundimtare nga procesverbalet e KKZ-ve brenda 12 orëve pas përfundimit të votimit.
Rezultatet zyrtare shpallen brenda 24 orëve nga dita kur ato bëhen përfundimtare.

Ankesat dhe procedurat ligjore

Sipas Kodit Zgjedhor, çdo subjekt politik që merr pjesë në zgjedhje mund të parashtrojë ankesë në KSHZ për mënyrën e zhvillimit të procesit të votimit ose numërimit brenda 48 orëve pas mbylljes së votimit.

KSHZ ka detyrimin që, nëse është e nevojshme, të verifikojë faktet përmes dëshmive, dokumenteve, dëshmitarëve apo ekspertizave dhe të marrë vendim brenda 72 orëve nga pranimi i ankesës.

Kundër vendimit të KSHZ-së, pala ankuese mund të ngrejë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve, e cila duhet të vendosë brenda 48 orëve.

Votuesit që mendojnë se u është shkelur e drejta e votës mund të paraqesin ankesë në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve brenda 12 orëve.

Për votimin jashtë vendit, ankesa mund të dorëzohet drejtë në KSHZ brenda 24 orëve, personalisht ose përmes përfaqësuesit të autorizuar.

Organet përkatëse janë të detyruara të vendosin brenda 2 deri në 4 orëve, ndërsa Gjykata Administrative duhet të vendosë në afat prej 12 deri në 24 orësh, sipas rastit.

Gjykata Administrative shqyrton ankesat në seancë publike, me pesë gjyqtarë të zgjedhur me short, duke njoftuar paraprakisht opinionin publik, KSHZ-në dhe Gazetën Zyrtare.

Nëse në rrethin e parë nuk zgjidhet asnjë kandidat, rrethi i dytë i zgjedhjeve mbahet pas 14 ditësh, konkretisht më 2 nëntor.


Zgjedhjet lokale 2025, Maqedonia e Veriut voton sot

Në orën 7:00 të mëngjesit ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet e tetë lokale që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) kanë konfirmuar se të gjitha vendvotimet janë hapur.

Votimi po zhvillohet në 3.474 vendvotime, ku deri në orën 19:00 të drejtën e votës mund ta ushtrojnë gjithsej 1.832.415 qytetarë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2025 marrin pjesë 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe janë paraqitur 576 lista për këshillat komunalë, me gjithsej 10.490 kandidatë.

Një ditë para zgjedhjeve, votuan të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara, si edhe banorët e shtëpive të të moshuarve.

KSHZ njoftoi se vlerësimet e para për rrjedhën e votimit dhe pjesëmarrjen do t’i publikojë në një konferencë për shtyp në orën 09:30.

Rezultatet e para paraprake nga zgjedhjet lokale, KSHZ pritet t’i shpallë brenda 12 orëve pas përfundimit të votimit. /TV21

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button