Zgjedhjet në veri sfidë për institucionet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tash nuk ka një planifikim për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se përgatitjet e procesit zgjedhor fillojnë pasi të caktohet data nga presidentja e vendit dhe deri më tani nuk ka ardhur ndonjë njoftim nga presidenca.
“Ne ende nuk kemi një datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave. Ajo cka i takon KQZ-së është që të bëjë organizimin e një procesi zgjedhor pasi zgjedhjet të shpallen. Si KQZ ashtu siç kemi thënë edhe më herët shprehim gatishmërinë për të përmvushur detyrimet tona kushtetuese dhe ligjore për të organizuar këto zgjedhje kur kjo kërkohet nga ana e KQZ-së. Këto janë te cilat nuk janë diskutuar në KQZ, ashtu siç nuk është diskutuar edhe në përgjithësi për këtë temë pasi përgsditjet intensive për organizimin e një procesi zgjedhor nga ana e KQZ-së fillojnë vetëm pasi ai proces zgjedhor të shpallet, të caktohet data për mbajtjen e tij.”
Një datë të caktuar për zgjedhjet nuk e ka përmendur as presidentja Osmani, por ajo ka thënë se Kosova do t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bratisllavë, përfshirë këtu edhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Ajo fajësoi palën serbe, për, sic tha, dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve serbë në veri.
“Unë jam e bindur që qytetarët dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, dhe për këtë jam e bindur nga komunikimet që kemi çdo ditë. Ata dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë të drejtë, në mënyrë që të kenë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të zgjedhin kryetarët e komunave që e marrin votën e qytetarëve në zgjedhje të lira e demokratike. Mirëpo, deri më tani, unë nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti Vuçiq, që të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët. Nuk pres që ai të ndërpresë dhunën që nëpërmjet strukturave krinimale vazhdimisht e ushtrojnë ndaj qytetarëve tanë në veri.”
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës thotë se është pajtuar dhe ka shprehur mbështetjen për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se institucionet e vendit do e kryejnë punën e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Qeveria ka shprehur mbështetjen e saj për zgjedhje të parakohshme. Tashmë ka një grup punues përgjegjës për hartimin e udhëzimit administrativ drejt zgjedhjeve të parakohshme. Institucionet përkatëse, përfshirë ato të sigurisë, do të jenë në krye të detyrës në përgatitjes e nevojshme për mbarëvajtje të rregullt të zgjedhjeve në kohën kur ato caktohen që të organizohen.”
Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por ato u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb. Zgjedhjet prodhuan një rezultat që u cilësua i ligjshëm por me pak legjitimitet./21Media