“Zgjerimi” i Qarshisë së Gjatë në Pejë, uvertyrë për një episod tjetër në lidhje me trashëgiminë kulturore në Kosovë?

Shkruan: Nermin Kastrati

Më 16 janar 2026, Koha Ditore publikoi artikullin:” Çarshia e Vjetër e Pejës “zgjerohet” me 25 hektarë nën mbrojtje”, autor Shaban Maxharraj.Në artikull thuhet se:” është tetëfishuar prej 3.32 sa është perimetri, kur i shtohet edhe zona e mbrojtur, sipërfaqja nën mbrojtje shkon në 25.34 hektarë. Sipas hartuesve, kjo ka qenë kërkesë direkte e Ministrisë së Kulturës”.

Perimetri i të ashtuquajturës “Zonë e Mbrojtur” është ”më shumë se shtatëfish sesa perimetri i Çarshisë”, thuhet në artikull.

“Plani i menaxhimit” thuhet se është punuar nga OSBE. Për ta kuptuar këtë projekt duhet marr në shyzrtim ndërmarrje të ngjashme të të cilat kanë për qëllim menaxhimin e trashëgimisë kulturore.

Qyteti i Prizrenit si qendër e rëndësishme e trashëgimisë kuluturore e Kosovës, tashmë është trajtuar përmes rregullimeve normative shtetërore dhe ndërkombëtare. Për të kuptuar substancën e trashëgimisë kulturore e që për interesa nacionale shtetërore dhe të komunitetit/teve, duhet të merren parasyshë aspektet normative ndërkombëtare mbi të cilat nxjerren mjetet juridike vendore.

Dokumenti bazë ndërkombëtarë mbi të cilin krijohen mekanizma tjerë juridik për mbrojtjen e tarshëgimisë kulturore është Konventa për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrarore, miratuar nga Konferenca e Përgjithshme të UNESCO-s në seancën e saj të shtatëmbëdhjetë më 16 nëntor 1972, në Paris. Konventa në fjalë merr në mbrojtje: monumentet, grup ndërtesash, zona apo hapësira të cilat kanë vlerë të posaçme për komunitetin dhe konsiderohet vlerë nacionale dhe botërore.

Konventa e cila thekson aspektet e rëndësishme të trashëgimisë, pasi ato lidhen me të drejtat e njeriut dhe demokracinë është Konventa mbi Vlerën e Trashëgimisë Kulturore për Shoqërinë (Konventa Faro, 2005) e Kësillit të Evopës. Konventë tjetër e cila bën ruajtjen dhe përmirësimin e trashëgimisë arkeologjike një nga qëllimet e politikave të planifikimit urban dhe rajonal. Ajo merret në veçanti me rregullimet që duhen bërë për bashkëpunimin midis arkeologëve dhe planifikuesve të qyteteve dhe rajoneve me qëllim sigurimin e ruajtjes optimale të trashëgimisë arkeologjike. Bëhet fjalë për Konventën për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike të Evropës (Valleta, 1992) poashtu e Këshillit të Evopës.

Poashtu Konventa e Granadës, e njohur zyrtarisht si Konventa për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkitekturore të Evropës (1985), është një nga instrumentet më të rëndësishme ndërkombëtare për ruajtjen e trashëgimisë arkitektonike.

Kosova është e përkushtuar ndaj parimeve të kësaj Konvente përmes legjislacionit kombëtar dhe politikave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke u përafruar me standardet evropiane për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore në Prizren është sanskionuar me ligj dhe akte nënligjore. Fillimisht është nxjerr Ligj për Qendrën Historike të Prizrenit, më 22 prill 2012, i cili në mes tjerash formon Këshillin Zbatues dhe Monitorues (KZM) – Këshilli i përcaktuar sipas Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura Nr. 03/L-039/2008.

Aktet më të ulëta normative në bazë të këtij ligji janë nxjerrë më tutje, si: Udhëzim Administrativ MMPH – Nr. 12/2014 Për Themelimin, Zgjedhjen, Përgjegjësitë dhe Funksionimin e Këshillit për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit dhe të Zyrës së Qendrës Historike të Prizrenit .

Qendra Historike e Prizrenit përfshin 1/3 e sipërfaqes së qytetit, dhe sipas Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit mbulon 1,377 zona kadastrale në qendër të Prizrenit dhe 141 zona kadastrale përreth zonës së Kalasë. Brenda kësaj zone përfshihen 104 ndërtesa dhe katër komplekse arkitektonike. Pra bëhet fjalë për një ndërmarrje menaxhuese komplekse të trashëgimisë kulturre në kuadër të kësaj zone të mbrojtur e cila do të qeveriset në një mënyrë të veçantë, nga një organ i përbërë nga komunitete fetare, komunitete etnike dhe shoqëria civile.

Komiteti për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit përbëhet nga shtatë anëtarë. Gjashtë anëtarë zgjidhen nga shoqëria civile dhe komunitetet fetare, si: Një anëtar i komunitetit islamik, një i Kishës Ortodokse Serbe dhe një i Kishës Katolike dhe tre anëtarë nga shoqëria civile. Anëtari i shtatë zgjidhet nga strukturat komunale, konkretisht nga Zyra e Komunitetit. Me kohë ky Komitet është vet de-funksionalizuar duke filluar nga aspekti financiar e tek aspekti i ungesës së disciplinës në pjesëmarje, si dhe arsye të tjera.

Shtrohet pyetja: Cili është qëllimi i zgjerimit të Zonës së Qarshisë së Gjatë në Pejë? Para se të filloj kjo ndërmarrje, ta quajm interesnate, janë mbajtur një seri takimesh të organizuara nga OSBE, për të krijuar një ambijent të pranueshëm për punimin kalimin nga 3.32 hektarësh në 25.34 hektarë. Këto takime kanë përmbushur procedurat e ”debatit publik” në të cilat merr pejesë edhe shoqëria civile, si pjesë e dabtit esencial.

Në planin urbanisitik të Pejës të publikuar në Koha Ditore, më 16 janar 2026, në të cilën paraqitet zona e “zgjeruar” e Qarshisë së Gjatë, numërohen jo më shumë se 12 objekte që konsiderohen nën mbrojtje. Megjithatë, qyteti numëron objekte të rëndësisë nën mbrojtje edhe jasht kësaj zone të “zgjeruar”, nga të cilët vetëm për ilustrim po paraqesim: kompleksin e Mullirit të Haxhi Zekës, shtëpi tipike ballkanike (Ortomane), Shtëpia e Mahmutbegollëve, Kulla e Zenel Begut, Shkolla e parë shqipe e vitit 1872, lokaliteti arkeologjik antik, si dhe objekte tjera të rëndësisë kulturore e sakrale. Vlera e objekteve të trashëgimisë kulturore e objekteve të përfshira në zonën e “Zgjeruar” dhe shtrierja e tyre nuk mund të jenë pjesë e kompleksit të Qarshisë së Gjatë, meqenëse ato nuk hynë në grupin e objekteve ku janë zhvilluar veprimtari të zanateve dhe tarafave të ndryshme. Objektet jasht Qarshisë së Gjatë pa dyshim hynë në objekte të trashëgimisë kulturore dhe sipas vlerësimeve profesionale duhet të jenë nën mbrojtje, por jo si pjesë e Zonës së Mbrojtur të Qarshisë së Gjatë. Është plani i menaxhimit i punuar nga OSBE një lloj surrogati i asaj që është rregulluar në Prizren sipas Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit e që e parasheh Komiteti për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit? Çfarë përbërje është paraparë? Apo është kjo uvertyrë për një epizod tjetër në lidhje me trashëgimin kulturore në Kosovë?

*Është ky vrojtim i organizatës Promotion of Heritage Management West (PHM West) një organizatë profesionale e përkushtuar për mbrojtjen, ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore në Kosovën Perëndimore. Organizata punon për ruajtjen e monumenteve historike, arkitekturës tradicionale dhe peizazheve kulturore, duke promovuar trashëgiminë si një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit shoqëror, kulturor dhe ekonomik. PHM West është e përkushtuar ndaj standardeve evropiane dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së trashëgimisë, përfshirë parimet e Konventës së Granadës dhe udhëzimet e UNESCO-s për menaxhimin e trashëgimisë.

Back to top button