Zgjidhje me kanun apo me sistem të drejtësisë? Deklaratat për hakmarrje cilësohen vepër penale

Dhënia e besës sipas kanunit, familjarëve  të të dyshuarve për vrasjen e Lulzim Fejzullahut ka ngjallur reagime të shumta për faktin se ngjarja tragjike i takon sistemit të drejtësisë.Kjo mënyrë e zgjidhjes së problemit dhe deklaratat e tilla konsiderohen vepër penale, thotë Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“…një deklaratë e tillë që e kemi ndëgjuar nga axha i viktimës është për keqardhje sepse në cdo rast kur deklarata të tilla që thirrin për vetgjyqësi nënkuptohet që është vepër penale. Andaj, cdo deklaratë e tillë nga institucionet kompetente duhet të shqyrtohet e të analizohet nëse ka elementet e veprës penale dhe institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë. Është me rëndësi që prokuroria lidhur me këtë deklaratë ka marrë në pyetje personin në fjalë po ashtu edhe një hoxhë andaj ne bëjmë thirrje institucuoneve për drejtësi në këtë rast prokurorisë dhe policisë që të veprojnë në bazë të ligjit dhe secili person ka vepruar kundër ligjit, të marrin masat e duhura…”,  tha Astrit Kolaj, Instituti i Kosovës për Drejtësi për RTV21

Derisa është raportuar se institucionet e drejtësisë kanë hetuar deklaratat e kryeimamit të Podujevës dhe axhës së Lulzim Fejzullahut, avokati, Arianit Koci, thotë se zgjidhja e çështjeve të tilla duhet bërë vetëm nga drejtësia në Kosovë dhe jo nëpërmjet kanunit që është mënyrë primitive.

“…unë i kuptoj individët e caktuar që e kanë një vullnet për me zgjidhë probleme, por kjo nuk është mënyra e duhur. Kjo është mënyra me primitive e mundshme. Nuk ka besa dhe kanune që kanë me u përmend kur e kemi drejtësinë e kemi policinë. Pra, nuk është këtu çështja a i beson apo jo, por me këtë lloj çasje potencialisht edhe po kryhet vepër penale. Është një lloj primitivizmi në shoqërinë tonë, por mund të jetë edhe mungesa e besimit në sistemin e drejtësisë, gjë që nuk ka arsye mos me pasë besim në sistemin e drejtesisë…”, tha avokati Arianit Koci

Edhe qytetarët konsiderojnë se asnjë çështje që I përket ligjit, nuk do të duhej trajtuar sipas kanunit apo zakoneve të tejkalaura.

“…duhet me u zgjedhë me drejtësi. Sigurisht që janë të afta dhe e kryejnë, por mundet me u bo edhe më mirë. Ajo është një çështje e tejkalume, tash është shtet juridik, andaj edhe shteti juridik duhet me instrumente e institucione të vetat me veprue, e jo me mbetë belaja si në mesjetë…”, tha Skënder Krasniqi, qytetar

“…Mas miri është me funksionu me sistemin e drejtësisë se ligji i kanunit është i vjetër nuk qon të mira…duhet me kanë të afta, ma merr mendja që janë të afta…”, tha Nysret Avdyli, qytetar

Përkundër konsolidimit të sistemit të drejtësisë në bazë të vlerave evropiane, fatkeqësisht në Kosovë ende nuk është çrrënjosur gjakmarrja, si relikt i zakoneve./21Media

Back to top button