“Zgjoi” më afër Oscars, lajmit i gëzohet edhe Dua Lipa

Akademia e Shkencave dhe Arteve ka shpallur të martën listën e ngushtë të nominimeve për 10 kategori në kuadër të Oscars 2022.
Filmi kosovar “Zgjoi” tani është pjesë e listës së ngushtë të filmave të mundshëm për t’u nominuar në kategorinë “filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Lajmit për suksesin e “Zgjoit” iu gëzua edhe artistja shqiptare me renome ndërkombëtare, Dua Lipa, shkruan rtv21.tv.
Këngëtarja 26 vjeçare ka rishpërndarë në InstaStory një postim të bërë nga regjisorja Blerta Basholli, ku e etiketuar ka qenë edhe vet Dua. “Lajmi më i mirë për t’u zgjuar”, ka shkruar Lipa mbi postimin në InstaStory.

Lista e plotë e nominimeve do të bëhet e ditur më 8 shkurt.
Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.
Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.
Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një gjë të tillë, pasi më 2016, filmi “Shok” me regji dhe skenar të regjisorit britanik Jamie Donoughue, i luajtur nga aktorë të Kosovës, i xhiruar në Kosovë, ishte filmi i parë që përfaqësoi kinematografinë e Kosovës në Oscar./21Media

Back to top button